SYRI TV/ Opera shqiptare e dhomës 'Ëndrra e Gotfridit', Red Radoja luan në katedralen ‘Shën Lucia’

SYRI TV

Opera e dhomës “Ëndrra e Gotfridit” e muzikologut Red Radoja do të vihet në skenë mbrëmjen e 14 korrikut në Katedralen “Shën Lucia” të Durrësit, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës. Pianisti dhe dirigjenti Radoja, që verën e kaluar në “Odeon” në Syri Tv shprehu dëshirën për ta sjellë këtë vepër në një skenë shqiptare, ndërsa tanimë e realizon ëndrrën e tij artistike.

Në kuadër të Festivalit XX Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës Chamber Fest Durrës 2025, do të vihet në skenë opera “Ëndrra e Gotfridit” e muzikologut dhe pianistit Red Radoja, një vepër bashkëkohore e krijuar në vitin 2018. Kjo opera dhome në një akt përfshin një prolog dhe tre tablo dramatike, të vendosura në një univers mitologjik dhe historik, mes Dardanisë dhe Kostandinopojës.

Ngjarja zhvillohet rreth Dukës Gotfrid, i cili udhëton me kalorësit e tij dhe, pas një nate të lodhshme, përjeton një ëndërr të turbullt ku përfshihet një nimfë e pyjeve, Lora, dhe figura të tjera simbolike si hyji i detit Redoni dhe Korifeja. Përmes një tensioni shpirtëror, Duka ngjiz një marrëveshje të fshehtë që shkon përtej realitetit, duke ngatërruar ëndrrën me jetën. Roli i Dukës interpretohet nga tenori Nezon Kaceja, ndërsa mesosopranoja Anita Kërhani sjell në skenë figurën e Lorës.

Bas bariton Hektor Sela dhe artistë të tjerë si Elti Rudi (flaut), Andi Alimehaj (violonçel), Çlirim Baruni (klarinetë), dhe vetë autori Red Radoja në piano dhe dirigjim, do të sjellin këtë vepër për herë të parë në Durrës. \Pianisti dhe muzikologu Red Radoja u shpreh verën e kaluar në emisionin “Odeon” në Syri Tv se kishte një dëshirë të madhe që kjo operë të vihej në një skenë shqiptare, dëshirë që tashmë merr jetë në një nga festivalet më të rëndësishme të muzikës së dhomës në vend. Shfaqja do të mbahet mbrëmjen e të së hënës, më 14 korrik, në orën 19:30, në Katedralen “Shën Lucia” të Durrësit, duke i dhënë një dimension të veçantë artistik festivalit dhe jetës kulturore të qytetit bregdetar.