Pushteti i shpërfill/ Holta Zaçaj: Vendimet e 'Kushtetueses', të detyrueshme për t'u ekzekutuar

Sot është prezantuar vëllimi i dytë i udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Në fjalën e saj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj është shprehur se përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.

Zaçaj theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar, ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.

Sipas Zaçajt dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetëm Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por edhe të veprojnë në shina kushtetuese. 

“Autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.

Mos harrojmë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar. Ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetëm Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore jo vetëm të respektojnë vendimet e gjykatës, por edhe të veprojnë në shina kushtetuese. Kjo vlen për të mbajtur në vëmendje se kur institucionet, përfshirë dhe ato gjyqësore, krijojnë dhe ato konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues, kjo minon vetë legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut, ka deklaruar Zaçaj.

Kujtojmë se në të shumtën e rasteve vendimet e GJK kanë qenë në sintoni me dëshirat e pushtetit, por edhe në ato pak raste kur kanë qenë jo të dëshirueshme, pushteti Ramës i ka shpërfillur tërësisht.