Stabilokracia – një spekulim politiko-diplomatik në shërbim të pushtetit Rama - Vuçiç
Kam mbi një dekadë që po mendoj me një dyshim të thellë, se çfarë dreqin është kjo shpikje diplomatike e stabilokracisë në Shqipëri, por që në mënyrë të përsëritur qarkullon edhe në gjithë Ballkanin Perëndimor dhe sidomos në Kosovë dhe Serbi. Më së shumti, përgjigjen e saj të shtirur e kam ndeshur gati si një refren në shtypin dhe opinionin publik shqiptar.
Kam vënë re, për fat të keq, se edhe politikanët duket sikur e kanë pranuar, sepse nuk kanë bërë gjënë e duhur – me qëllim apo pa qëllim – për ta sqaruar dhe për të mbajtur një qëndrim, nëse mund ta quajnë kështu, për këtë lloj preteksti.
Pse e quaj pretekst?
Sepse është diçka që nuk është e vërtetë, nuk arsyetohet, nuk ekziston dhe për rrjedhojë nuk i reziston dot arsyes.
Arsyeja e gjeopolitikës, nëse bëhet fjalë për një kompromis për të sakrifikuar diçka nga parimet kryesore të vlerave mbi të cilat qëndron shoqëria demokratike euroatlantike, kërkon të sqarohet se në emër të çfarë interesi kërkohet të bëhet kjo gjë.
Ne jemi unikë në Europë për shpirtin dhe orientimin perëndimor dhe nuk ka forcë konjukturore që na e ndryshon dot këtë rrugë. Alternativa euroatlantike është përzgjedhja jonë e vetme. Më thoni një parti politike në Shqipëri që ka busull tjetër. Nuk ka. Atëherë pse të spekulohet me këtë formulë?!
Faktet që ka prodhuar realiteti, në çfarëdo konjukture politike në zhvillimet gjeopolitike në Ballkan, dhe më konkretisht në Shqipëri, të bëjnë të mendosh se në këtë rast, mbetet në fuqi fantazia e krijuar që lidhet me interesa të tjera klienteliste në lidhje me legjendëzimin e saj.
Dhe ka pasur periudha të veçanta, ku dikush ka pyetur dhe dikush tjetër është përgjigjur respektivisht:
Pse diplomacia europiane toleron një autoritarist të diskredituar si Edi Rama në mes të Europës?!
Po si është e mundur që administrata e presidentit Biden, për çfarë arsyesh themelore, nuk ia ndërpreu mbështetjen një qeverisjeje të mbytur nga krimi i organizuar dhe trafiku i drogës, që ka mbuluar pothuajse gjithë Europën?!
Kam vënë re se janë dhënë përgjigje të drejtpërdrejta por edhe lakonike në këto parashtrime publike, se arsyeja kryesore e tolerimit të Edi Ramës ka qenë stabilokracia.
Jo.
Madje një jo e madhe.
Kjo është një supergënjeshtër që nuk mund të qëndrojë përballë së vërtetës. Nuk rezulton që kjo të jetë arsye e vërtetë. Është spekulim i pastër.
Diplomacia ka parimet e saj të mbështetura në vlera të pranuara. Në Perëndim, disa kanë bërë aluzione se devijimin autoritarist të Edi Ramës e kanë anashkaluar vetëm e vetëm për të ruajtur dhe mbështetur stabilitetin në Shqipëri e në Ballkan, në emër të një qetësie të supozuar. Dhe më e keqja, kanë bërë një krahasim me Serbinë e Aleksandër Vuçiçit, në një kohë që për shqiptarët, ashtu siç kanë shpjeguar të gjithë rilindasit me në krye Vaso Pashën: “dielli lind andej nga perëndon”. Pra, kjo nuk i korrespondon të vërtetës historike mbi të cilën duhet të merret në konsideratë edhe gjeopolitika.
Madje, së bashku me Aleksandër Vuçiçin, ata krijuan ngadalë nga dalë një dyshe “mbretërish”, me mbretërim të garantuar në diplomacinë e rajonit, kur në disa ngjarje politike të dukej sikur kishin kompetenca dhe imunitet për të shkelur shumë standarde diplomatike që më parë ishin respektuar gjithmonë.
Po a ka baza të arsyeshme për të mbështetur ky pretendim, në një kohë që autoritarizmi i toleruar, krimi i organizuar, korrupsioni shtetëror, trafiku i drogës etj., janë shkaqet reale të çfarëdo destabiliteti?!
Pse u bënë subvencione kaq të padrejta në diplomaci, për të mbajtur në pushtet një autoritarist dhe anarkist si Edi Rama, i cili e ka nxjerrë politikën dhe kulturën e saj nga binarët, dhe të mos mbështetesh te shembulli i provuar i Sali Berishës, që ka qenë një interlocutor integrues i nivelit europian?
Eksperienca e tij qeverisëse rezultoi shembull në Ballkan, ku në një kohë shumë të shkurtër bëri të mundur që Shqipëria të bëhej anëtare e NATO-s, t’i hiqeshin vizat me BE-në dhe të arriheshin rezultate mbresëlënëse në drejtim të integrimit europian. Të kishte miqësi dhe normalitet me Greqinë, Kosovën, Turqinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe marrëdhënie speciale me SHBA-në.
A duhet të ketë vend të thuhet se regjimi i Edi Ramës tolerohet për hir të stabilokracisë?
A ka vend që të vazhdojë të thuhet ende se rikthimi i sistemit të diktaturës në Shqipëri bëhet për hir të stabilokracisë?
A është stabilokracia një truk diplomatik që u ushqye dhe u mbajt në këmbë për të justifikuar mbajtjen sa më gjatë në pushtet të Edi Ramës dhe të ndonjë autoritaristi tjetër në Ballkan?
Them “në Ballkan”, sepse menjëherë, sapo u çiftëzua politikisht me Aleksandër Vuçiçin, Rama u bë zëdhënës i disa interesave të cilat, në kuptimin afatgjatë, nuk kishin lidhje me interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në rajon.
Kjo paqartësi nuk është shtruar asnjëherë si një problem serioz, por është trajtuar në një ajër të ndotur mediatikisht në Shqipëri.
Dhe nuk kishte pse të diskutohej fare, pasi është provuar se Shqipërisë, gjatë këtij tranzicioni, problemet e stabilitetit i kanë ardhur vetëm nga mungesa e respektimit të kushteve të lirisë, demokracisë dhe rregullave të lojës. As për shkak të brishtësisë së qetësisë së brendshme, ku në një situatë hipotetike, çdo trazirë për shkaqe socio-politike mund të eskalonte në një destabilitet rajonal.
Përkundrazi, Shqipëria është rast unikal në Europë, ku mund të themi pa ndrojtje se është një nga shtetet më homogjene në pikëpamje të strukturës etnike, ku problemet e saj të brendshme nuk mund të eskalojnë përtej kufijve të saj dhe të krijojnë destabilitet.
Më shumë është provuar se, në rastin e Shqipërisë, këtyre ideve u kanë paraprirë direktiva “fantastiko-diplomatike” që nuk kishin lidhje me realitetin. Pastaj ato divulgoheshin nga manekinë në nivelin publik e mediatik – njerëz të cilët mungesën e demokracisë në shumë raste e justifikonin me arsye për sakrificë, për të fituar diçka më të rëndësishme për momentin: stabilitetin dhe qetësinë.
Dihet se këtyre legjendave, që së paku në zhvillimet politike dhe diplomatike i korrespondojnë një periudhe afërsisht 10-vjeçare, u ka shoqëruar pothuajse të gjitha situatat e tensionuara që kanë shoqëruar qeverisjen e Ramës, duke filluar nga protesta e lëndëve helmuese, në vitet e para të qeverisjes, kur “strategu” i pushtetit të shthurur mori edhe mesazhet e para kërcënuese, se qeverisja nuk ishte punë e lehtë pazaresh dhe koncesionesh për t’u bërë.
Ky është një trillim propagandistik që buron nga nevojat që ka pasur, por që ende vazhdon të ketë, pushteti i Edi Ramës – madje tashmë edhe më shumë. Ai është shtrirë përtej mediave të zotëruara kombëtare prej tij. Janë histori të njohura me zanafillat e pushtetit të Ramës me “Shoqërinë e Hapur” të miliarderit Xhorxh Soros. Është ndoshta magnetizimi me eremitin multimiliarder, i cili e mori nga urat e Senës, ku shiste ikona të vjedhura nga Shqipëria dhe Ballkani, vuri kujdestar që t’i priste thonjtë dhe e futi në mbrojtjen e rrjeteve mediatike dhe politike për ta bërë pjesë të zgjedhur të sektit të tij politiko-ideologjik.
Duhet të jemi më realistë për kushtet që përcaktojnë perspektivën e luftës tonë politike në botën që na rrethon.
Kemi rreth një dekadë që po përjetojmë një qeverisje të ngritur në nivelin e një regjimi, i cili në çfarëdo vendi që ka përqafuar rrugën e liberalizmit, nuk do ta duronte kurrë kaq gjatë. Shteti i së drejtës është shkatërruar, zgjedhjet janë kthyer në një farsë, sepse rezultati i tyre është përcaktuar para hedhjes në kutinë e votimit nga shteti elektoral, konkurrencën e ka zëvendësuar klientelizmi dhe allishverishi etj., etj. Ngaqë është krejtësisht e pamundur për t’u zëvendësuar me rrugë demokratike, shumë demagogë dhe tërë detashmenti i regjimit e justifikojnë vazhdimësinë absurde me rrethana gjeopolitike që ndikojnë drejtpërdrejt në stabilokracinë.
Kjo stabilokraci e pretenduar, në kushtet e vendit tonë, është një kurth – ose më mirë, një lojë politike e virusit të majtë ekstremist “woke”, për të ushtruar trysni ndaj politikave konservatore dhe, më konkretisht, kundër opozitave tradicionale konservatore, për t’i paralizuar ato në përpjekjet e tyre për të sjellë në pushtet alternativën e tyre më të mirë.