Të shtënat me armë zjarri në një kishë në Kentucky, dy persona humbin jetën dhe dy të tjerë mbeten të plagosur

Dy gra kanë humbur jetën nga të shtënat me armë në një kishë në shtetin amerikan të Kentucky-t. Ndërkohë dy burra mbetën të plagosur, ku sipas autoriteteve, njjëri pësoi lëndime kritike dhe tjetri ishte në gjendje të qëndrueshme. I dyshuari ishte ndaluar më parë pranë aeroportit të Lexingtonit nga një polic shtetëror, i cili kishte marrë një alarm bazuar në targën e automjetit.

"Polici u qëllua dhe i dyshuari iku me vrap", tha Shefi Weathers, duke shtuar se gjendja e policit ishte në gjendje të qëndrueshme në spital dhe po merrte trajtim.

Policia është shprehur se personi i armatosur më pas vodhi një automjet, eci me makinë rreth 26 km deri në kishë, ku hapi zjarr dhe u qëllua për vdekje nga policia.

"Informacionet paraprake tregojnë se i dyshuari mund të ketë pasur një lidhje me individët në kishë", tha Shefi Weathers në një konferencë për shtyp. Ndërkohë vijojnë hetimet lidhur me ngjarjen.

Zyrtarët nuk kanë zbuluar detajet e të dyshuarit dhe as nuk dihet ndonjë detaj rreth motivit të mundshëm të ngjarjes. Mjeku ligjor i Qarkut Fayette, Gary Ginn, identifikoi dy viktimat si Beverly Gumm, 72 vjeç, dhe Christina Combs, 32 vjeç.

Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, postoi një mesazh në X, duke thënë se ishte "zemërthyer" për vdekjen e dy grave dhe lëndimeve të tjera, përfshirë një polic të Policisë Shtetërore të Kentucky-t.

"Dhuna si kjo nuk ka vend në bashkësinë ose vendin tonë. Ju lutem bashkohuni me mua dhe Britainy-n [gruan time] ndërsa lutemi për familjet e atyre që humbën jetën, secili prej tyre një fëmijë i Zotit që u largua shumë shpejt", shkroi ai.

Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, Russell Coleman, tha se detektivët e zyrës së tij ishin të gatshëm të mbështesnin agjencitë lokale dhe shtetërore. Aeroporti Blue Grass konfirmoi në një deklaratë se një "incident" ndodhi në pronën e aeroportit dhe mbylli përkohësisht një terminal si masë paraprake, por ai u rihap më vonë. Policia tha se të shtënat nuk kishin lidhje me aeroportin.