Mikpritësi i gjithë botës merr molotovin në dorë
Gjuha raciste që prodhohet nga shprehja gegë “tokë e xanun”, të cilën Edi Rama e ndërkall me qëllim në diskursin e tij letrar, ka qenë dhe mbetet një akt përjashtues që, qysh në rrënjë, shënjon një ndarje fillimisht territoriale, e më pas edhe racore. Këtë e njohin më mirë se kushdo ata dhe ato që janë prekur drejtpërdrejt nga kjo ndarje.
Që prej të hënës së 7 korrikut, është fshati i Thethit që ndodhet nën peshën e rëndë të këtij mentaliteti përjashtues. Një fshat i vendosur mes maleve të thepisura të Alpeve shqiptare, ku mungesa e aksesit dhe mbështetjes shtetërore e ka bërë jetesën edhe më të vështirë për banorët e tij. Rikthimi i jetës në Theth, në kushtet e një izolimi të shumëfishtë, është bërë i mundur deri më sot vetëm përmes përpjekjeve komunitare të banorëve autoktonë dhe lidhjes së tyre të pandërprerë me tokën.
Ishin ata banorë që, me durim dhe sakrificë, pa shumë dije profesionale, por me ndjeshmëri njerëzore dhe instinkt mbijetese, pritën turistët që po shtoheshin vit pas viti. Sigurisht, me klishe mikpritjeje, me gabime ndërtimi, ndoshta edhe me ndonjë dëm mjedisor, por megjithatë me një frymë që i dha jetë një vendi të harruar. Në mungesë të shtetit, ishte bujtina që bëhej ambasadë; ishte fshatari që shpjegonte historinë; ishte banori që i hapte shtëpinë të huajit.
Mijëra turistë kanë shkelur në Theth gjatë këtyre viteve. Vetë shteti i nxiti të shkojnë. Vetë kryeministri i ftoi të zbulojnë këtë “perlë të fshehur”. Vetë u kërkoi banorëve të investojnë, të ndërtojnë, të rrisin kapacitetet. Dhe tani, në kulmin e sezonit, i cilëson si problem. I sheh si pengesë për vizionin e tij të ri për turizmin luksoz, një vizion ku nuk ka më vend për banorë të varfër, por vetëm për investitorë të mëdhenj.
E gjithë kjo ndodhi pas konferencave të ndritshme me emra të mëdhenj të arkitekturës botërore, mes prezantimesh për kulla të larta dhe hotele prej xhami e betoni. Në një vend të vogël e të varfër si ky yni, kryeministri ynë, për një çast, u ndje vetë si projektues i së ardhmes. Si vizionar mes skemave luksoze të kapitalit të madh, iu përkëdhel sedra nga të gjithë ata që i thanë se Shqipëria është e bukur, e virgjër, e pashfrytëzuar. Dhe nga ai moment, nuk i mbushin më sytë as bujtinat, as shtrati prej druri, as uji që sjellin me bidona ata pak njerëz që e kanë mbajtur gjallë turizmin me forcat e tyre.
Por këtë kthesë, kryeministri nuk e bën në tryezë me qytetarët. Nuk e bën përmes konsultimesh, as përmes vendimeve të menduara. E bën me fadroma. E bën me policë. Në emër të rendit, por me dhunë që nuk ka asnjë rend. Dhe në këtë mënyrë, një zonë si Thethi, një nga të paktat vende ku turizmi ka pasur jetë të vërtetë, kthehet brenda pak ditësh nga histori suksesi në shembull ndëshkimi.
Kjo është ajo që po ndodh në Theth: një politikë zhvendosjeje e paketuar si rend institucional. Një spastrim hapësinor nga ata që nuk kanë para, por kanë histori. Një zëvendësim i kujtesës me projekte. Dhe më e rënda: një prishje e marrëdhënies së besimit mes shtetit dhe qytetarit, një marrëdhënie që nuk do të rindërtohet kollaj. Sepse kur mikpritësi i gjithë botës merr molotovin në dorë, nuk është më thjesht një protestë. Është një dëshpërim i thellë që lind kur ke ndërtuar gjithçka me forcat e tua, dhe dikush vjen të të thotë se nuk ke më vend.
Prej 11 vitesh, reforma territoriale e miratuar nga Edi Rama ka përjashtuar ekonominë familjare, biznesin me bazë familjen, sepse e gjithë ekonomia e vendit po përqendrohet në vetëm pak duar. Por territori nuk është vetëm një realitet i perceptuar; nuk është thjesht një hapësirë objektive dhe materiale, por edhe një realitet i ndjerë, një gjendje mendore, një përfytyrim kolektiv që varet nga komunitetet lokale. Nëse duam që këto zona të banojnë e të zhvillohen, është e domosdoshme që aty të ketë njësi të mirëfillta pushteti lokal, aty ku realizohen të drejtat qytetare. Me shumë gjasë, një reformë e tillë do të shërbente si mekanizëm administrativ dhe politik për rikthimin e njeriut shqiptar te toka, te lumi, te mali, te deti, te bagëtia dhe te pylli.
Gjuha është gardhi i parë i individit. Dhe në gjuhën e përdorur fshihet vetë qenia e tij.
Platformat e ndarjes dhe përjashtimit nuk kanë lindur as në Jug, as në Veri, por vetëm në mendjet e sëmura të atyre që komplekset e inferioritetit i kanë shndërruar në komplekse gjeografike. Platformat e ndarjes kanë mbirë në mendjen e atyre që, kur vinin kokën mbi një dru, ëndërronin se si t’ua vidhnin jastëkun të tjerëve. Por le të mbetemi me shpresë se edhe druri i trashëguar, edhe jastëku i vjedhur, do të humbin në Shkumbin - aty ku Shqipëria bashkohet. Dhe aty, nga cilido breg që t’i kthesh sytë, do të shohësh të njëjtën hundë të shtrembër shqiptari.