SYRI TV/ 18 vatra zjarri në 24 orë, 2 ende aktive — Ministria e Mbrojtjes: Situata nën monitorim

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat Ministria e Mbrojtjes thotë se 2 janë aktive dhe 2 janë nën monitorim. Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë Bulqizë, Dibër, Rrogozhinë, Përmet, Pogradec, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Kuçovë, Berat, Librazhd, Fier dhe Malësi e Madhe.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Për shuarjen e tij u kërkua ndërhyrja me helikopter.

Bashkia Rrogozhinë. Në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, është punuar për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me dushqe. Gjatë ditës së djeshme zjarri ka marrë përmasa akoma edhe më të mëdha për shkak të erës dhe është përhapur edhe në fshatrat Berdal, Thartor dhe Moroj, duke rrezikuar banesat në disa momente. Ditën e sotme forcat operacionale po vazhdojnë punën në terren për fikjen përfundimtare të zjarrit.

Qarku Lezhë. Në kufirin midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin, vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore. Sipërfaqja e djegur është rreth 23 ha.

Qarku Elbasan. Në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia administrative Polis, bashkia Librazhd, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 60 efektivë dhe 2 helikopterë Cougar.

Sa i përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat, dhe nivel rreziku “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera. Në disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vetëm në zona të lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug) dhe Durrës (Verilindje).