Austri/ 67-vjeçari vret veten pasi la një viktimë dhe plagosi një grua me armë
Policia austriake njoftoi se një burrë vrau me armë një person dhe plagosi rëndë një grua mëngjesin e sotëm në qytetin Traiskirchen, rreth 32 kilometra në jug të Vjenës. Autori i dyshuar më pas u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet dhe më vonë vrau veten.
Sipas autoriteteve, gruaja e plagosur u transportua me helikopter drejt një spitali në Vjenë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Zëdhënësi i policisë lokale, Johann Baumschlager, tha për agjencinë austriake të lajmeve se dyshohet se një konflikt verbal mes tre personave ka paraprirë të shtënat.
Autori, i cili besohet të jetë 67 vjeç dhe shtetas austriak, u gjet i vdekur në një vresht pranë vendngjarjes. Hetimet janë në duart e Zyrës së Hetimeve Kriminale të Austrisë së Poshtme.
Mësohet gjithashtu se autori ndodhej me leje nga burgu dhe mbante armën në mënyrë të paligjshme.