Policia spanjolle jep detaje të reja në lidhje me aksidentin e Diogo Jotës dhe të vëllait
Sulmuesi i Liverpulit, Diogo Jota, ishte pas timonit dhe besohet se kishte zhvilluar shpejtësi të lartë kur makina e tij doli nga rruga të enjten e 3 korrikut duke rezultuar në vdekjen e tij dhe të vëllait më të vogël.
Kjo raportohet nga hetimi paraprak policor për aksidentin që ndodhi në Spanjë.
Jota dhe vëllai i tij, Andre Silva, humbën jetën pasi makina e tyre, që sipas mediave spanjolle ishte një Lamborghini, doli nga rruga pas një gome të këputur dhe më pas u përfshi nga flakët.
Një zëdhënës i policisë spanjolle deklaroi për CNNi Sports se hetimi paraprak tregon se Jota ishte në timon gjatë aksidentit fatal dhe se shpejtësia e tepërt ishte një faktor i mundshëm, bazuar në shenjat e gomave që u panë në autostradë.
Pasi policia spanjolle të përfundojë hetimin e saj më vonë gjatë kësaj jave, dosja do t’i dorëzohet një gjykatësi lokal përpara se të publikohet.
Bota e futbollit është përfshirë në pikëllim që nga lajmi për vdekjen e Jotës, me ish-shokë skuadre, trajnerë dhe tifozë nga e gjithë bota që i bëjnë homazhe një figure të dashur jo vetëm në Liverpul.
“Nuk ka kuptim,” shkroi Cristiano Ronaldo në rrjetet sociale. “Kishim qenë së bashku së fundmi në kombëtare, ti sapo kishe martuar.
Dërgoj ngushëllimet e mia dhe gjithë forcën e botës familjes tënde, gruas dhe fëmijëve. E di që do të jesh gjithmonë me ta. Pushoni në paqe, Diogo dhe André. Do na mungoni të gjithëve.”
Jota u martua me partneren e tij afatgjatë, Rute Cardoso, me të cilën kishte tre fëmijë, më pak se dy javë para aksidentit tragjik.
Varrimi i dy lojtarëve u mbajt në vendlindjen e tyre, Gondomar, Portugali, të shtunën (5/7), në praninë e shumë njerëzve. Syri.net-CNN.gr