Shembjet e objekteve/ Dorian Teliti: Ndërtimet pa leje në Tiranë dhe Theth po trajtohen me dy standarde
I ftuar në një intervistë për Syri TV me moderatorin Arnold Karriqi, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të PD-së në Tiranë, Dorian Teliti, ka komentuar ashpër ndërhyrjet e fundit të IKMT-së dhe shembjet e ndërtesave pa leje në zona të ndryshme të vendit, përfshirë kryeqytetin dhe Thethin.
Ai akuzoi autoritetet se po përdorin standarde të dyfishta, duke treguar tolerancë ndaj ndërtuesve të mëdhenj dhe një qasje agresive ndaj qytetarëve të thjeshtë. Sipas Telitit, institucionet shtetërore në të kaluarën kanë negociuar me ndërtues që kanë shkelur ligjin, ndërsa sot veprojnë me fadroma dhe presion ndaj atyre që nuk kanë as përkrahje dhe as pushtet.
“Dy-tre vitet më parë, kur u konstatuan pallate mbi pallate pa leje, ku u konstatuan pallate të tëra pa leje. Ata nuk morën fadromat, nuk i hodhën naftë fadromave, nuk vunë Fatmir Metën me shokë që të shkonin të shanin njerëzit nga ropt e shtëpisë. Ata i thanë: vishni kollaren, xhaketën, parfumosuni dhe hajde ulemi në krah të atij dhe negociojmë të gjejmë një rrugë të mesme.
U ulën, bënë trativën, dolën dhe aktet nënligjore, u bënë edhe VKM-të përkatëse dhe u gjet gjuha. Edhe ata që kishin shkelur ligjin paguan, dikush më shumë, dikush një çmim më të lartë. Nuk i pamë as fadromat, as të fortët, as ofendimet, u trajtuan si zotni këta shkelësit e ligjit të fortit. Madje të pasnesërmen përfituan edhe tendera të tjerë publikë. Sot te njerëzit e thjeshtë shkon policia bashkiake. Kjo gjë është lejuar dhe është futur në normalitet, ndonëse s’ka pasur atë letrën për lejen e ndërtimit. Shteti ka lejuar këtë lloj fenomeni, nuk mund të kalosh një ditë të bukur se të vjen dëshira ty për të bërë masa të tilla, siç po ndodh në Tiranë dhe në Theth”, u shpreh Teliti