SYRI TV/ Sezoni më i dobët se vjet, bien rezervimet për muajt e pikut korrik-gusht

Përtej propagandës për rritjen e turizmit, sezoni veror pritet të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar, dhe këtë e konfirmojnë operatorët turistikë, të cilët përballen me rënie të rezervimeve në muajt e pikut të sezonit, korrik gusht. Revista monitor raporton se këtë vit mungojnë rezervimet nga diaspora dhe nga Kosova. Shkak për këtë, është infrastruktura e dobët, trafiku, mbetjet, zhurmat dhe kantieret e ndërtimit aktiv në zonat turistike. Së fundmi është shtuar edhe problemi i mungesës së ujit në zonën e Golemit për shkak të rikonstruksionit të një nyjeje në rezervuarin e Manskurisë.

Syri TV

Teksa pritshmëritë ishin që turizmi të kishte një rritje rreth 15% këtë vit, shifrat zyrtare e kanë zbehur ketë optimizëm, madje operatorët turistikë presin që sezoni veror 2025 të jetë më i dobët se ai i vitit të kaluar. Siç raporton revista ekonomike Monitor, rezervimet individuale për muajt korrik-gusht janë më të ulëta se një vit më parë sidomos nga Vlora në Sarandë. Ata që po mungojnë janë diaspora dhe Kosova.

Operatorët turistikë druhen se vlerësimet jo shumë të mira që Shqipëria po merr së fundmi nga turistët që sjellin agjencitë e huaja mund të na çojnë një hap pas. Sektori i turizmit vuan nga infrastruktura e dobët, trafiku, mbetjet, zhurmat dhe kantieret e ndërtimit aktive në zonat turistike.

Operatorët turistikë presin që vera 2025 të jetë më e dobët se ajo e vitit të shkuar duke marrë si referencë rezervimet paraprake të korrikut dhe gushtit që janë dukshëm më të ulëta, ndërkohë që edhe qershori ka qenë i dobët.

Përjashto Shëngjinin dhe Velipojën, ku frekuentimi kryesor mbetet nga Kosova, në të gjithë bregdetin nga Durrësi në Vlorë e Sarandë, rezervimet individuale kanë qenë më pak se qershori i vitit 2024.

Në prill, operatorët turistikë u përballën me faktin se nuk do të kishte fluturime nga Aeroporti i Vlorës, siç ishte premtuar, dhe kontratat me garanci të parapaguara do të duhet të rinegocioheshin duke i mbajtur ata kostot për ndryshimet.

Sikur të mos mjaftonte kjo, infrastruktura rrugore në disa zona turistike është e pamjaftueshme apo jashtë standardit, ndërsa zonat e plazhit janë kthyer në kantiere ndërtimi.

Kjo duket se ka përkeqësuar vlerësimin e agjencive të huaja për Shqipërinë duke vënë në pozitë të vështirë marrëdhënien me operatorët vendës.

Tani, së fundmi, është shtuar edhe problemi i mungesës se ujit në zonën e Golemit për shkak të rikonstruksionit të një nyjeje në rezervuarin e Manskurisë. Kjo ka detyruar bizneset të gjejnë zgjidhje të furnizimit me ujë me bote apo me hapje pusesh.