Plagosje me armë në Valias, arrestohen autori dhe i plagosuri - Ja çfarë ndodhi mes tyre

Një incident me armë zjarri ka ndodhur pasditen e djeshme në një lokal në zonën e Valiasit, ku një 34-vjeçar është plagosur në këmbë. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar dhe vetë të plagosurin, për pengim të hetimeve.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 5 kanë vënë në pranga shtetasin B. K., 51 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, nga pakujdesia, ndaj fqinjit të tij F. Xh., 34 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në Valias, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, është arrestuar edhe vetë 34-vjeçari i plagosur, pasi gjatë hetimeve nuk bashkëpunoi plotësisht me autoritetet, duke mos dhënë informacion të mjaftueshëm për rrethanat dhe autorin e ngjarjes.

Gjatë kontrollit në banesën e 51-vjeçarit, policia ka sekuestruar armën e zjarrit, një pistoletë, që dyshohet të jetë përdorur në plagosje.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi motivet dhe rrethanat që çuan në këtë incident të rëndë.