Lulëzon kanabisi në Veri të Shqipërisë/ Asgjësohen mijëra bimë, procedohen penalisht rojet e pyjeve, kultivuesit...

Forcat e Policisë në qarkun Shkodër kanë intensifikuar kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e kultivimit të paligjshëm të bimëve narkotike.

Si rezultat i këtyre kontrolleve të thelluara, janë gjetur dhe asgjësuar gjithsej 2943 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa në zona të ndryshme të qarkut.

Burime nga policia bëjnë të ditur se në Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër asgjësuan 735 bimë kanabisi.

Në Kastrat dhe Gruemirë (Malësi e Madhe), u gjetën dhe asgjësuan 1631 bimë.

Në Temal dhe Shllak (Vau i Dejës), u evidentuan dhe asgjësuan 139 bimë.

Në Luf-Qerret dhe Gjegjan (Pukë), u asgjësuan 438 bimë kanabisi.

Për këto raste, dy roje mjedisi janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre: V. P., roje pyjesh dhe A. K., roje e zonave të mbrojtura.

Policia njofton se vijojnë veprimet për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të tjerë të përfshirë në kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike.