BE-ja dhe Meksika kritikojnë tarifën e propozuar prej 30% nga Trump

Bashkimi Evropian (BE) dhe Meksika kanë shprehur zhgënjimin e tyre ndaj kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa 30% mbi importet nga këto vende që nga 1 gushti.

Meksika kritikoi atë që e quajti “marrëveshje të padrejtë” dhe theksoi se sovraniteti i saj nuk është për t’u negociuar, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërcënoi me "kundërmasa proporcionale", nëse është e nevojshme. Të dyja palët deklaruan se dëshirojnë të vazhdojnë negociatat me SHBA-të.

Trump ka paralajmëruar se do të vendosë edhe më shumë taksa mbi importet nëse ndonjë nga partnerët tregtarë të SHBA-ve vendos të kundërpërgjigjet.

Këtë javë, Trump njoftoi gjithashtu tarifa të reja për mallra nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili që do të hyjnë në fuqi muajin tjetër.

Në një letër të dërguar të premten presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Trump shkroi:
"Kemi pasur vite për të diskutuar marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto disbalanca të mëdha, të qëndrueshme dhe të gjata në tregti, të shkaktuara nga tarifat, barrierat jotarifore dhe politikat tuaja."

Më tej shtoi: "Marrëdhënia jonë ka qenë, për fat të keq, shumë larg reciprocitetit."

Në letrat dërguar BE-së dhe Meksikës, Trump paralajmëroi se nëse ato kundërpërgjigjen me taksa të ngjashme, ai do të rrisë më tej tarifat përtej 30%.

Në një intervistë të regjistruar për Fox News e transmetuar të shtunën në mbrëmje, Presidenti Trump tha se disa vende janë “shumë të shqetësuara tani”, por këmbënguli se tarifat kanë sjellë “qindra miliarda dollarë” në SHBA.

BE-ja reagon me shqetësim

Bashkimi Evropian ka qenë një nga objektivat më të shpeshta të kritikave të Trump. Më 2 prill, ai propozoi tarifa prej 20% për mallrat nga blloku, si dhe nga dhjetëra partnerë të tjerë tregtarë. Ai më pas kërcënoi t’i rriste tarifat për BE-në deri në 50% ndërsa bisedimet ngecën.

Uashingtoni dhe Brukseli kishin shpresuar të arrinin një marrëveshje para 9 korrikut, por nuk ka pasur asnjë njoftim për ndonjë përparim.

Në vitin 2024, deficiti tregtar i SHBA-ve me BE-në ishte 235.6 miliardë dollarë (202 miliardë euro; 174 miliardë paund), sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-ve.

Von der Leyen tha se BE mbetet e gatshme "për të vazhduar punën drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht".

"Do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë kundërmasa proporcionale nëse është e nevojshme," tha ajo.

"Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të përkushtuara ndaj praktikave të ndershme tregtare sa Bashkimi Evropian," shtoi ajo.

Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu “mosmiratimin e fortë” ndaj njoftimit të Trump dhe tha se BE-ja duhet të përshpejtojë përgatitjet për kundërmasa të besueshme nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Bernd Lange, kreu i Komitetit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, e përshkroi lëvizjen e Trump si “një shuplakë në fytyrën e negociatave” dhe tha se Brukseli duhet të zbatojë kundërmasa që nga e hëna.

Disa liderë evropianë bënë thirrje për një marrëveshje me Trump. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se beson se mund të arrihet një "marrëveshje e drejtë", duke shtuar:
"Nuk ka sens të nisësh një luftë tregtare ndërmjet dy anëve të Atlantikut."

Kryeministri holandez Dick Schoof tha në rrjete sociale se BE-ja duhet të mbetet "e bashkuar dhe e vendosur" në synimin për një marrëveshje "reciproke dhe të dobishme për të dyja palët".

Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve paralajmëroi për rritjen e kostove për prodhuesit dhe furnizuesit gjermanë, duke thënë se ishte "për të ardhur keq që ekziston rreziku i një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit tregtar".

Reagimi i Meksikës

Në letrën drejtuar udhëheqëses së Meksikës, Trump tha se vendi nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar që Amerika e Veriut të shndërrohet në një 'fushë loje të narkotrafikut'.

"Meksika ka ndihmuar për të siguruar kufirin, POR, ajo që ka bërë nuk është e mjaftueshme," shtoi Trump.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum shprehu besim se mund të arrihet një marrëveshje.

"Ne besojmë, bazuar në diskutimet që patëm dje, se do të arrijmë një marrëveshje me SHBA-të dhe se do të sigurojmë kushte më të mira," tha ajo të shtunën.

"E dimë qartë për çfarë mund të negociojmë me SHBA-të dhe për çfarë jo. Një gjë që nuk negociohet kurrë është sovraniteti i vendit tonë."

Letra e Trump nuk përmendi nëse mallrat meksikane të tregtuara në kuadër të marrëveshjes USMCA 2020 do të përjashtoheshin nga tarifat e propozuara – ndërkohë që Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Kanadaja do të përfitonte nga përjashtimet.

Më herët gjatë javës, Shtëpia e Bardhë i dërgoi një letër Kanadasë duke kërcënuar me një tarifë 35%.

Lëvizje e gjerë tarifore nga SHBA-të

Deri të shtunën, administrata Trump ka propozuar tarifa ndaj 24 vendeve dhe BE-së, e cila përbëhet nga 27 shtete anëtare.

Më 12 prill, këshilltari tregtar i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, deklaroi një objektiv për të arritur "90 marrëveshje brenda 90 ditëve."

Deri më tani, presidenti ka shpallur pikat kryesore të dy marrëveshjeve – me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin, ndërsa negociatat me vendet e tjera vazhdojnë./BBC