Si kujdeseshin për shëndetin grekët dhe romakët e lashtë? Këshillat që vlejnë ende sot
Romakët e lashtë, si një nga qytetërimet më të zhvilluara të antikitetit, kishin krijuar praktika të rëndësishme për ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit.
Megjithëse njohuritë e tyre ishin një kombinim i vëzhgimeve praktike dhe teorive filozofike, ata arritën të ndërtonin një sistem kujdesi shëndetësor që, për kohën, konsiderohej përparimtar. Parandalimi ishte në thelb të mënyrës së tyre të jetesës, dhe praktikat që ndiqnin tregonin një kuptim të thellë të lidhjes mes ushqimit, pastërtisë, aktivitetit fizik dhe mirëqenies trupore e mendore.
Një nga fushat ku romakët treguan kujdes të veçantë ishte infrastruktura publike. Ujësjellësit e tyre, me teknologji të avancuar për kohën, sillnin ujë të pastër nga burime të largëta drejt qyteteve dhe banjave publike (thermae), duke ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve infektive dhe përmirësimin e higjienës. Sistemet e kanalizimeve, si Cloaca Maxima në Romë, largonin mbetjet nga zonat e banuara, duke ulur ndjeshëm rrezikun e epidemive.
Pastërtia personale ishte pjesë thelbësore e jetës së përditshme. Banjat publike nuk shërbenin vetëm për larje, por ishin edhe qendra shoqërore dhe kulturore ku njerëzit çlodheshin, stërviteshin dhe socializonin. Banjat përfshinin dhoma me temperatura të ndryshme, caldarium (të ngrohtë), tepidarium (të vakët) dhe frigidarium (të ftohtë), që besohej se ndihmonin në qarkullimin e gjakut dhe forconin sistemin imunitar.
Profesoresha Claire Bubb, specialiste në shkencën dhe letërsinë antike, foli në podcast-in e HistoryExtra dhe ndau pesë këshilla për përmirësimin e shëndetit dhe jetëgjatësisë, të frymëzuara nga mendimet e grekëve dhe romakëve të lashtë.
Edhe shumë kohë përpara se të ekzistonin programet moderne të mirëqenies, mjekët e lashtë promovonin individualizimin.
“Një regjim shëndetësor nuk ishte një rregull i përhershëm. Ishte një grup fleksibël parimesh, i përshtatur sipas trupit, stilit të jetesës dhe synimeve personale të secilit. Doje të forcoheshe? Kishte një plan për këtë. Doje të humbisje peshë? Kishte një tjetër plan krejt ndryshe”, thekson Bubb.
Sipas saj, qasja e Hipokratit ishte thellësisht e personalizuar. “Kjo për mua është një nga ato aspekte të mjekësisë së lashtë që ende mund të na ndihmojë të mendojmë më vetëdijshëm për shëndetin”.
Ajo shton: “Nëse dikush ndien se ka peshë të tepërt dhe dëshiron të dobësohet, ndjek një metodë të caktuar. Nëse dikush tjetër dëshiron të fitojë masë muskulore apo peshë, ndjek një rrugë tjetër. Pra, gjithçka varet nga qëllimet personale”.
Hipokrati këshillonte që ata që dëshironin të humbnin peshë të: ‘bënin ushtrime me stomakun bosh dhe të hanin ndërsa ishin ende të djersitur dhe të nxehur. Duhet të ushtroni kur nuk keni ushqim në trup, sepse atëherë përdorni rezervat e brendshme’.
Por për dikë që dëshironte të fitonte peshë, këshilla ishte krejt tjetër, nuk kishte një zgjidhje unike për të gjithë. Kuptimi i një jete të shëndetshme varej nga kush ishe, si jetoje dhe çfarë doje të arrije.
“Pyetjet si: ‘Si ushqehem? Si ushtrohem? Çfarë ndikimi kanë zgjedhjet e mia ditore në shëndetin dhe lumturinë time?’ janë po aq të rëndësishme sot sa ishin edhe 2,000 vjet më parë”, shton profesoresha.
Në teorinë mjekësore greko-romake, lëngjet trupore konsideroheshin forca të rëndësishme që ndikonin në gjendjen e përgjithshme dhe duhej të menaxhoheshin me kujdes. Kjo e bënte seksualitetin, veçanërisht humbjen e spermës – një çështje serioze.
Mjekët romakë besonin se aktiviteti i tepruar seksual dobësonte trupin, ndërsa mungesa e tij mund të shkaktonte probleme nga grumbullimi i spermës.
“Me seksin nuk është njësoj për të gjithë”, thotë Bubb. “Disa janë më të shëndetshëm kur kanë jetë seksuale më të shpeshtë, ndërsa për të tjerët, seksi i tepërt sjell probleme”.
Ata këshillonin që aktiviteti seksual të përshtatej me stinën. “Gjatë verës, kur trupi është tashmë i lodhur nga nxehtësia, humbja e mëtejshme e energjisë përmes seksit vetëm e përkeqëson situatën”. Prandaj, rekomandimi ishte: “Nëse mundeni, shmangeni”.
Disa këshilla antike për mirëqenie ishin të aplikueshme vetëm nga të pasurit. Mjeku grek Diokli kishte përshkruar një rutinë të përditshme shumë të detajuar: nga shtrirjet e mëngjesit dhe larja e fytyrës, deri te vakte në orare të caktuara dhe gjumë pasdite.
Por, siç thekson Bubb, “ky program ishte i mundur vetëm për dikë që nuk kishte nevojë të punonte, një njeri shumë i pasur që mund t’i kushtonte gjithë kohën optimizimit të shëndetit”.
Rituali ndryshonte edhe sipas stinëve, zakonet e të ngrënit, gjumit dhe shëtitjeve ndryshonin në verë dhe në dimër.
Megjithëse shumica e njerëzve nuk mund ta ndiqnin këtë stil jete, ai pasqyronte një ideal më të gjerë: kujdesi për shëndetin ishte një punë me kohë të plotë.
Mos e tepro me palestrën
Kultura moderne e fitnesit shpesh lavdëron ekstremet trupore, por mjekët grekë dhe romakë nuk ishin aspak dakord me këtë. Disa prej tyre kritikonin atletët dhe ndërtuesit e trupit që shkonin përtej kufijve natyrorë dhe besonin se kjo dëmtonte ekuilibrin e trupit.
“Në dallim nga mendësia moderne, autorët antikë ishin kritikë ndaj kulturës së bodybuilder-ëve. Ata mendonin se një trup me shumë muskuj nuk është domosdoshmërisht i shëndetshëm”, thotë Bubb.
Në vend të kësaj, rekomandohej aktivitet i moderuar, si ecja ose stërvitje e lehtë. Stërvitjet e rënda pa mbikëqyrje mjekësore konsideroheshin të dëmshme për trupin.
“Një njeri i zakonshëm nuk duhet kurrë të ndjekë një regjim si ai i Arnold Schwarzenegger – kjo nuk është e shëndetshme”, thekson ajo.
Ndonjëherë, është më mirë të jesh… lakuriq
Disa ide të lashta për shëndetin mund të tingëllojnë të çuditshme sot, por kishin logjikën e tyre. Disa mendonin se ecja nudo ndihmonte në humbjen e peshës, sepse përmirësonte avullimin përmes lëkurës. Syri.net-iefimerida