Inva Mula zbulon në 'Odeon' projektet artistike, ja në cilat skena do ngjitet

Në një rrëfim ekskluziv për “Odeon”, sopranoja e njohur Inva Mula ndau detaje mbi projektet e saj më të fundit artistike, të cilat pasurojnë më tej aktivitetin e saj të ngjeshur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mes angazhimeve ndërkombëtare dhe skenave shqiptare, ajo theksoi se vera dhe fundviti do jenë të mbushura me koncerte dhe krijimtari intensive.

“Gjatë verës edhe në një qytet tjetër që s’po e zbuloj për momentin, sepse do jetë shumë afër MIK Festival. Në shtator shkoj në Kinë, për një festival tjetër shumë të rëndësishëm dhe në vazhdimësi do kem disa koncerte të rëndësishme, të cilat janë me rastin e festave të çlirimit,” – u shpreh Mula.

Ajo veçoi koncertin me sopranon Elda Laro në Shkodër, një tjetër homazh muzikor që e cilësoi si shumë të bukur, ndërsa më pas do të interpretojë në Filarmoninë e Shkupit. Krahas angazhimeve në skenë, Inva Mula po punon edhe për një vepër të re artistike, të cilën do ta vendosë në skenë deri në muajin dhjetor.

“Kalendari im është tepër i zënë, duke qenë se jo vetëm interpretoj, por tani edhe krijoj produksione. Ato kërkojnë më shumë kohë, impenjim intelektual, do reflektim të fortë. Do mundësi që ti të ballafaqohesh edhe me kolegë të tjerë për të arritur diçka,” – tha ajo.

Në fund të bisedës, Inva Mula bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për publikun artdashës:

“I bëj thirrje të gjithë artdashësve përmes ekranit tuaj që të na bashkohen në MIK Festival. Është eventi më i bukur që do të ndodhë në qytetin e Korçës dhe jo vetëm. Do kemi suksesin dhe pritshmërinë e publikut.”

Sopranoja rikujton se festivali i krijuar prej saj tashmë është kthyer në një qendër të gravitetit kulturor në Shqipëri dhe se këtë verë do të jetë edhe më i pasur në përmasa dhe përmbajtje.