SYRI TV/ 70 familje në Shkozë pa ujë, banorët ngrihen në protestë: Jemi ankuar te UKT, s`na jep zgjidhje
Dhjetëra banorë të zonës së ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë protestuan këtë të shtunë për mungesën e ujit të pijshëm. Prej më shumë se 10 ditësh, mbi 70 familje në këtë zonë nuk furnizohen me ujë, duke e bërë jetesën jashtëzakonisht të vështirë në këto ditë të nxehta. Ata theksojnë se detyrohen ta blejnë ujin ose ta transportojnë nga zona të largëta, por një gjë e tillë ka kosto të lartë. Sipas banorëve, ata i paguajnë rregullisht faturat e ujësjellësit.
Banorët shprehen se janë ankuar disa herë, por drejtuesit e UKT-së bëjnë “ping-pong” me përgjegjësinë. Madje, përpara kamerës, banorët telefonuan përfaqësues të ujësjellësit, të cilët u shprehën se problemi do të zgjidhet, por sipas banorëve kjo situatë përsëritet vazhdimisht.
Siç theksuan vetë banorët, përpara zgjedhjeve kishin furnizim me ujë, por gjithçka ndryshoi pasi kryeministri mori votat.
Ata u shprehën se, nëse kjo situatë nuk gjen zgjidhje, do të përshkallëzojnë protestat.