SYRI TV/ Skandali, qeveria nuk kontrollon cilësinë e ujit të pijshëm, shqiptarët të rrezikuar

Qeveria Rama nuk garanton cilësinë e ujit të pijshëm në vend, duke vënë në rrezik të gjithë popullsinë shqiptare. Raporti i KLSH zbuloi skandalin se 14 nga 15 laboratorë që duhet të masin cilësinë e ujit që shkon në rubinetet e shqiptarëve, nuk funksionojnë. Në disa prej tyre mungojnë laboratorët, në disa të tjera nuk janë të certifikuara, duke mos dhënë rezultate të besueshme nëse uji është i konsumueshëm apo jo.

SYRI TV

Ndërkohë që premtimi 12-vjeçar i kryeministrit Edi Rama për ujë 24 orë ka mbetur një utopi, një tjetër skandal qëndron në rubinetat e shqiptarëve. Qeveria nuk ka asnjë mundësi për të kontrolluar cilësinë e ujit të pijshëm që furnizohen thuajse të gjitha familjet në Shqipëri.

Një fakt i tillë është i njohur nga qytetarët, të cilët, nga veriu në jug, janë të detyruar të shpenzojnë buxhetet e tyre familjare për blerjen e ujit. Por, tashmë ky skandal i përmasave gati tragjike pranohet edhe nga institucionet shtetërore.

Të paktën 14 nga 15 laboratorët e matjes së cilësisë së ujit të pijshëm në Shqipëri nuk arrijnë të sigurojnë fare ose plotësisht të dhëna të besueshme për pastërtinë e tij. Në Berat, Gjirokastër, Kukës dhe Lezhë, shoqëritë e ujësjellësve nuk kanë fare laborator për matjen e cilësisë së ujit. Ndërsa në Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Shkodër dhe Vlorë, laboratorët ekzistojnë, por ato punojnë me pajisje të paçertifikuara dhe rezultatet e tyre janë të dyshimta për sa i përket vërtetësisë.

Asnjë nga laboratorët nuk është i kredituar, përveç laboratorit në Tiranë, pra asnjë nga laboratorët në të gjithë vendin nuk mund t’u sigurojë ose nuk u siguron fare qytetarëve rezultate të besueshme në lidhje me testet e kryera, duke përdorur pajisje efikase dhe të kalibruara periodikisht, pra asnjë shoqëri ujësjellësi nuk garanton cilësinë e ujit sipas kushteve laboratorike që janë aktualisht. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga një auditim i kryer prej Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizime dhe Mbetjeve Urbane, AKUM.

Gjatë fushatës elektorale për Parlamentaret në vitin 2021, Rama premtonte se “do ketë 24 orë ujë brenda këtij viti në territore që e kanë pasur lëngatë për disa vite. Mandati i tretë do sjellë 24 orë ujë në Tiranë, ku është problemi më i madh për shkak të dyndjes së madhe. Kur them Tiranë, 24 orë ujë brenda mandatit të tretë, përfshirë Kamzën dhe Vorën. E njëjta gjë do ndodhë me Durrësin, Elbasanin, Shkodrën dhe Vlorë. Ne do të garantojmë 100% ujë të pijshëm brenda 61 bashkive të vendit.

Në dhjetor të këtij viti do të kemi 18 orë ujë në ditë dhe në mbyllje të mandatit të tretë 24 orë ujë në ditë.” Këto premtime, të cilat natyrisht u zhdukën pas fitores së zgjedhjeve të atij viti, u përsëritën sërish në fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Por, pas marrjes së mandatit të katërt me metodat e blerjes së votave dhe përdorimit masiv të grupeve kriminale, Rama, i pafuqishëm për t’u treguar qytetarëve se përse nuk e përmbushi premtimin për ujë 24 orë, e delegoi përgjegjësinë te strukturat lokale.

“Problemi i ujit të pijshëm, një tjetër problem i adresuar. Kemi konstatuar një keqmenaxhim vitet e fundit të ujësjellësve lokalë”, deklaroi ai në një takim të zhvilluar pak ditë më parë në Vlorë.