SYRI TV/ Mbrëmja e dytë e Festivalit MIK në Korçë, Inva Mula interpreton për herë të parë me djalin
Inva Mula u ngjit për herë të parë në skenë me të birin, Antoni Çako, në një homazh prekës për Gaqo Çakon në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së tij. Mbrëmja e dytë e Festivalit MIK në Korçë mblodhi emra të njohur të muzikës shqiptare për të nderuar figurën e tenorit legjendar.
SYRI TV
Mbrëmja e dytë e MIK Festival u shndërrua në një homazh për tenorin legjendar shqiptar, Gaqo Çako, duke përkuar me 90-vjetorin e lindjes së tij. Artistë të rinj dhe ish-studentë të Çakos u mblodhën në skenën e Teatrit të Korçës për të interpretuar një repertor të pasur.
Surprizë emocionuese ishte ngjitja në skenë e nipit të Gaqo Çakos, Antoni Çako, i cili interpretoi përkrah nënës së tij, sopranos së njohur Inva Mula. Ajo ndau me publikun dhe mediat disa kujtime emocionale për figurën e artistit.
Dirigjenti i njohur Eno Koço, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Çakos, vlerësoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm në skenën operistike shqiptare. Ai përkujtoi figurën e tenorit përmes promovimit të një CD-je dhe një libri të dedikuar karrierës së tij.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte rikthimi pas 32 vitesh në skenë i sopranos Tatjana Kora Elmazi, dikur Afroviti në “Karnavalet e Korçës”. Me emocione të thella, ajo kujtoi mësuesin dhe udhëheqësin e saj shpirtëror, Gaqo Çakon, duke zgjedhur pikërisht këtë përvjetor për të rifilluar lidhjen me skenën shqiptare.
Një tjetër moment i veçantë ishte performanca e tenorit të ri Xhoiden Dervishi, i cili ndonëse zhvillon karrierën e tij jashtë vendit, nderoi figurën e Çakos duke theksuar se Shqipëria nuk ia ka ofruar botës në përmasën që ai e meritonte.
Në qytetin e lindjes së tij, Korçë, u kujtua me nder dhe dashuri figura e një prej emrave më të mëdhenj të skenës shqiptare. Në skenë u ngjitën edhe emra të njohur si Kastriot Tusha dhe Gjergji Mani, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, duke i dhënë mbrëmjes një përkujtim dinjitoz për ikonën e muzikës klasike shqiptare.