'Është shkelur ligji'/ Shehu: Policia e Ramës me kallashnikov përballë qytetarëve, si në diktaturën e Kim Jong-un
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar me tone të forta për ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në Theth, të cilën e ka cilësuar si një akt terrori policor.
I ftuar në një intervistë për Syri TV me moderatoren Eneida Ndoci, Shehu u shpreh i tronditur nga pamjet që tregojnë forca policie të armatosura rëndë përballë qytetarëve të thjeshtë.
“Unë u shokova kur pashë ato pamjet e policisë, e ushtarakëve të policisë të armatosur me kallashnikov dhe që mbanin shënjestër sikur kishin përpara ndonjë grup terrorist,” deklaroi Shehu. Ai shtoi se kjo situatë është e papranueshme për një vend demokratik dhe përbën një shembull të qartë të degradimit të institucioneve shtetërore.
Sipas tij, pamja ishte jo vetëm tragjike, por edhe krahasueshme me regjime diktatoriale. “Ishte një pamje tragjike ajo që pashë, një polici e cila mund të krahasohet me policinë e Kim Jong-un-it,” tha ai, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë dhe Policinë e Shtetit për tejkalim ekstrem të kompetencave.
Shehu u ndal edhe te ngjarjet e së kaluarës, duke risjellë në kujtesë aksionin policor në Lazarat, për të cilin u shpreh se u përdor si justifikim për të krijuar përplasje me një popullsi paqësore. “Ngjarja e Thethit më kujtoi ngjarjet që kanë ndodhur në Lazarat më parë… u krijua gjithë ajo ngjarje artificiale gjoja për të zhdukur kanabisin, kur pastaj Shqipëria u kanabizua e tëra.”
Më tej, deputeti demokrat tha se ndjen keqardhje për një situatë që, sipas tij, përbën shkelje të rëndë të ligjit për përdorimin e armëve nga policia dhe përbën kërcënim serioz për demokracinë në vend.
Shehu:
Unë u shokova kur pashë ato pamjet e policisë, e ushtarakëve të policisë të armatosur me kallashnikov dhe që mbanin shënjestër sikur kishin përpara ndonjë grup terrorist. Ishte me të vërtetë një pamje shokuese e cila nuk mund të ndodhi dhe nuk mund të imagjinohej në një polici demokratike.
Ishte një pamje tragjike ajo që pashë, një polici e cila mund të krahasohet me policinë e Kim Jong-un-it apo polici të nuk e di se çfarë sistemi diktatorial, policia e Ramës e cila ishte me kallashnikov para qytetarëve.
Është e paimagjinueshme një gjë e tillë, është e frikshme një gjë e tillë për nivelin e demokracisë së vendit, për shkeljen e demokracisë së vendit dhe dhe se si mund të degjenerojë kjo situatë kur policia del përpara njerëzve me kallashnikov në dorë.
Ngjarja e Thethit më kujtoi ngjarjet që kanë ndodhur në Lazarat më parë, kur policia përsëri e armatosur me kallashnikov apo me snajper u bë shkak për vrasjet e njerëzve të pafajshëm, u bë shkak për një përplasje të krijuar artificialisht me popullsinë e jashtëzakonisht paqësore dhe të qetë të Lazaratit, kur u krijua gjithë ajo ngjarje artificiale gjoja për të zhdukur kanabisin, kur pastaj Shqipëria u kanabizua e tëra.
Më vjen keq se është një pamje totalisht në shkelje të ligjit të përdorimit të armëve nga policia.