'Veprova kundër qeverisë sime për Shqipërinë'/ Ish-ambasadori gjerman Werner Daum rrëfen vendimin që i dha hov 'revolucionit' të korrikut ’90
Një nga figurat më të respektuara diplomatike të historisë së marrëdhënieve Shqipëri–Gjermani, Werner Daum, ish-ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë gjatë një prej periudhave më vendimtare për fatin e shqiptarëve, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Syri TV, në intervistën e mbrëmjes me Armela Ferkon.
Diplomati i lartë, i konsideruar si një prej mbështetësve më të qartë të aspiratës së shqiptarëve për liri në verën e vitit 1990, ka zbuluar për SYRI TV motivet dhe ndjenjat që e shtynë të hapte portat e ambasadës së tij, një akt që i dha zemër mijëra qytetarëve të përndjekur nga regjimi komunist.
“Pse ndihmova unë kur gati 3 mijë shqiptarë hynë në ambasadën time, pse i lashë portat e hapura?” – u shpreh Daum, duke rikthyer në kujtesë një ndër momentet më dramatike e njëkohësisht shpresëdhënëse të historisë sonë të afërt.
Ai rrëfen se kishte parandjerë prej gati një viti se gjendja në Shqipëri po ndryshonte. Shqiptarët, sipas tij, nuk ndiheshin më të frikësuar prej shtypjes së qeverisë dhe kishin nisur të kërkonin me vendosmëri lirinë. “Populli ishte i gatshëm të rrezikonte, madje edhe të binte fli për lirinë dhe për një jetë më të mirë,” tha Daum.
Ish-ambasadori ndalet edhe te demonstrata në Kavajë, që sipas tij ishte shkëndija e parë e revolucionit. Ndërsa shumica e të rinjve po drejtoheshin fillimisht drejt ambasadave greke, franceze e italiane, askush nuk po tentonte të hynte në ambasadën gjermane. Ishte pikërisht ky moment që e bëri Daumin të ndërhynte.
“Thashë me vete: si ka mundësi? Duhet të bëj diçka. Nuk isha i gatshëm të dilja dhe t’i ftoja, por doja t’ua bëja të qartë, në mënyra të tjera, se njerëzit ishin të mirëpritur te ne,” rrëfen ai. “Në ditën kur të gjithë evakuuam ambasadën, lashë portat hapur rreth një metër që të shihej qartë se ishte një vend ku mund të kërkohej strehë.”
Në rrëfimin e tij prekës, Daum flet edhe për lidhjen e tij personale me Shqipërinë. Thotë se udhëtonte kudo, e adhuronte peizazhin, historinë dhe artin shqiptar. “Më janë afruar të rinj që kishin kapërcyer frikën e shtetit dhe të Sigurimit. Unë nuk e fsheha mendimin tim. Shqiptarët meritonin të jetonin në liri,” theksoi ai.
Megjithëse ishte diplomat dhe i detyruar të ndiqte udhëzimet e qeverisë së tij, në korrik të vitit 1990 ai vendosi të veprojë ndryshe. “Veprova kundër udhëzimeve të qeverisë sime sepse ndjeva që regjimi shqiptar ishte kundër vlerave themelore të njerëzimit dhe kundër të drejtave të njeriut.”
Daum e vijoi dëshminë e tij me një fjali që pasqyron thelbin e misionit të tij diplomatik: “Vendosa të bëj atë që ndjeva se ishte e drejtë.”
Daum:
Pse ndihmova unë kur gati 3 mijë shqiptarë hynë në ambasadën time, pse i lashë portat e hapura?
Kisha parandjerë prej kohësh, prej gati një viti, nga mesi i vitit 1989, se gjendja e Shqipërisë dhe gjendja e shqiptarëve po ndryshonte.
Tashmë shqiptarët nuk po ndjeheshin më të frikësuar prej shtypjes dhe prej makinerisë shtypëse së qeverisë, por ishte një popull i gatshëm të rrezikonte, madje edhe të binte fli për lirinë dhe për kushte ekonomike të ndryshme dhe më të mira dhe për mundësi më të mira.
Të gjithë shqiptarët e donin lirinë në çdo kuptim, donin të kishin mundësinë të flisnin lirshëm, të shkëmbenin mendimin e tyre me të tjerët si brenda vendit ashtu edhe me persona të tjerë, sidomos me të rinj jashtë vendit dhe unë e kisha ndjerë këtë.
Shkëndija që i dha forcë revolucionit ishte demonstrata në Kavajë, dhe në Kavajë nuk shpresonin për të sulmuar ambasadat për të dalë nga vendi, por donin lirinë, dhe unë e ndjeva këtë.
Ambasadat e para ku sidomos të rinjtë shqiptarë u drejtuan ishin ambasadat greke, franceze dhe ajo italiane, kishte disa dhjetëra dhe askush nuk tentoi të kërkonte strehë tek ambasada gjermane.
Thashë me vete si ka mundësi, unë duhet të bëj diçka, duhet t’u tregoj njerëzve se janë të mirëpritur, nuk isha i gatshëm të dilja dhe t’u thoja ejani dhe t’i ftoja, por doja t’ua bëja të qartë nëpërmjet disa formave se njerëzit ishin të mirëpritur në ambasadën gjermane dhe se ne do të bënim ç’të mundnim për t’i ndihmuar.
Atë ditë që të gjithë evakuuam ambasadën, unë isha i fundit që u largova, ndezëm dritat dhe pas asaj lashë portat gati një metër të hapur në mënyrë që të gjithë ta shihnin se ky ishte një vend ku mund të kërkonin strehë.
Unë po udhëtoja kudo në Shqipëri, unë e doja këtë vend, më pëlqente peizazhi, më pëlqenin malet, lumenjtë dhe veçanërisht më pëlqente arti dhe historia e Shqipërisë.
Veçanërisht në Shkodër, por edhe në vende të tjera më janë afruar të rinj të cilët e kishin kapërcyer frikën dhe shtypjen e shtetit dhe të Sigurimit.
Më janë afruar këta njerëz dhe unë nuk e fsheha mendimin tim, unë mendoja se shqiptarët meritonin një jetë më të mirë, shqiptarët meritonin të jetonin në liri.
Këtë e shpreha qartë, nuk bëra propagandë aktive, as nuk inkurajova një revolucion, sepse nuk ishte roli im, por sa herë e afrohej njeri shprehja atë që mendoja.
Unë jam një diplomat në profesionin, dhe diplomati duhet të veprojë sipas udhëzimeve dhe këtë kam bërë gjithë jetën time diplomatike, por në korrik të 1990, unë veprova kundër udhëzimeve të qeverisë sime e cila nuk donte të minonte një qeveri tjetër, unë veprova haptas kundër udhëzimeve sepse ndjeva që qeveria, sistemi dhe regjimi ishte kundër vlerave themelore të njerëzimit dhe të jetës së njeriut dhe kundër dokumentit të shkruar Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.
Kështu që unë vendosa të bëj atë që unë ndjeva se ishte e drejtë.