A ndihmon vera dhe plazhi në trajtimin e sëmundjeve të tiroides? Çfarë duhet të dini për ndikimin e jodit nga deti dhe ajri i bregdetit
Shumë pacientë me probleme të tiroides, por edhe të tjerë kuriozë, ngrehin pyetje të ndryshme lidhur me ndikimin e detit dhe plazhit në shëndetin e tyre. Disa shprehin dyshime dhe shqetësime si: ‘Unë bëj plazh dhe prapë kam problem me tiroiden?’, apo ‘I lashë ilaçet e tiroides sepse është verë dhe do të shkoj në det.’ Të tjerë ndihen më optimistë duke thënë: ‘Ajri i detit më qetëson dhe më shëron tiroiden.’ Ndërsa ka edhe ata që pyesin me shqetësim: ‘A më bën keq deti për tiroiden?’ Këto janë disa nga pyetjet dhe mendimet më të zakonshme që shprehin ata që jetojnë me këtë gjendje ose thjesht janë kuriozë për efektet që ka deti në shëndetin e tyre.
Këto shqetësime janë të zakonshme dhe ia vlen të shpjegohen disa aspekte shkencore lidhur me jodin, një element kyç për funksionimin normal të tiroides.
Sa jod ka në ujërat e detit?
Jodi është i pranishëm në mënyrë natyrale në produktet e detit, si algat, peshqit dhe frutat e detit, dhe gjithashtu në ujërat detare. Përqendrimi mesatar i jodit në ujërat e detit është rreth 60 pjesë për miliard (ppb), ndërsa në lumenj shumë më i ulët, rreth 5 ppb. Zonat me bimësi të pasur detare, si algat, kanë përqëndrime më të larta se zonat me pak bimësi. Por sasia e jodit që njeriu mund të marrë drejtpërdrejt nga uji i detit është shumë modeste.
Në terma më të thjeshtë, në 1 litër ujë deti ka rreth 58 mikrogram jod, ndërkohë që nevojat ditore për jod janë 150 mikrogram për një adult (dhe më shumë gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies).
A ndihmon qëndrimi pranë detit për tiroiden?
Një mit i përhapur është se ajri pranë detit është i pasur me jod dhe ndihmon për sëmundjet e tiroides. Algat lëshojnë sasi të vogla jodi në ajër në formë gazi, por studimet kanë treguar se kjo sasi është tepër e vogël për të pasur ndonjë efekt terapeutik të rëndësishëm. Përqendrimi i jodit në ajër ndryshon shumë në varësi të faktorëve të tillë si era, moti dhe prania e algave.
Gjithashtu, aftësia e trupit për të thithur jodin nga ajri është e kufizuar dhe roli i tij në përmbushjen e nevojave ditore për jod është minimal, sidomos kur sasia atmosferike është shumë e ulët.
A duhet të ndaloni ilaçet e tiroides në verë?
Duke ditur se sasitë e jodit që marrim nga deti dhe ajri janë shumë të vogla, nuk duhet të ndërpritet trajtimi mjekësor për tiroiden vetëm sepse jemi në plazh apo në det. Ilaçet për tiroiden janë të nevojshme për kontrollin dhe trajtimin e sëmundjes dhe nuk mund të zëvendësohen nga qëndrimi në det apo nga besimi se “ajri i detit më shëron”.
Përfundim
-Uji dhe ajri pranë detit përmbajnë jod, por në sasi tepër të vogla për të ndikuar ndjeshëm në trajtimin e problemeve të tiroides.
-Niveli i jodit që merr njeriu nga deti është shumë më i vogël sesa nevojat ditore.
-Ndërprerja e ilaçeve të tiroides pa këshillën e mjekut është e rrezikshme dhe nuk rekomandohet.
-Ajri i detit ka efekte relaksuese dhe psikologjike, por për sa i përket trajtimit të tiroides, nuk zëvendëson terapinë mjekësore.
Nëse keni probleme me tiroiden, konsultohuni gjithmonë me mjekun specialist për udhëzime të sakta dhe të sigurta.