Mishin për qytetin, fekalet për fshatin/ Gjykata vendos: Megandotja e fermës së derrave në Spanjë shkeli të drejtat e njeriut të banorëve
Komuniteti i vogël i As Conchas në Galici në Spanjë ka fituar një betejë historike ligjore kundër ndotjes mjedisore, me Gjykatën e Lartë të Galicisë që ka vendosur se autoritetet spanjolle kanë shkelur të drejtat themelore të banorëve.
Në një vendim precedent, gjykata konfirmoi se dështimi për të menaxhuar ndotjen masive nga qindra ferma intensive të derrave dhe shpendëve ka cënuar të drejtën për jetë, ujë të pijshëm, shëndet dhe mirëqenie.
Padia u ngrit nga shtatë banorë të prekur, Shoqata e Lagjes As Conchas dhe Konfederata e Përdoruesve dhe Konsumatorëve (CECU), të mbështetur nga organizatat “ClientEarth” dhe “Miqtë e Tokës”. Ekspertët paraqitën prova tronditëse mbi nivelet ekstreme të nitrateve në ujin e rezervuarit – deri në 1,000 herë më shumë se kufijtë normalë – si dhe praninë e superbaktereve rezistente ndaj antibiotikëve, duke ngritur shqetësime të thella shëndetësore.
Gjykata urdhëroi autoritetet vendore, përfshirë Xunta de Galicia dhe Autoritetin e Pellgut të Lumit Miño-Sil, të marrin masa të menjëhershme për të ndalur aromat, ndotjen dhe degradimin mjedisor, si dhe të rikthejnë rezervuarin As Conchas në një gjendje të sigurt për banorët. Sipas vendimit, banorët po përballen me “dëm të vazhdueshëm moral”, përfshirë humbjen e vlerës së pronës, papërdorshmërinë e puseve private dhe ndotjen ajrore.
“Pas kaq shumë vitesh lufte të palodhur dhe të braktisur nga institucionet, sot na është dëgjuar zëri,” deklaroi Pablo Álvarez Veloso, kreu i shoqatës lokale dhe një nga paditësit kryesorë. “Ky vendim na bën më të fortë – dhe nuk do të ndalemi derisa rezervuari ynë të bëhet sërish një vend jetese.”
Avokatët thonë se ky është një rast i parë në llojin e vet që e lidh drejtpërdrejt ndotjen bujqësore me shkeljen e të drejtave të njeriut, dhe mund të hapë rrugën për procese të ngjashme në të gjithë Evropën. Për komunitetin që ka jetuar mes erës së keqe, ujit të ndotur dhe frikës për shëndetin, ky vendim përfaqëson një fitore të vonuar, por të merituar.