Ultimatumet e Ramës për rilindasit e bashkive/ Fisnik Qosja: Nuk shkarkoj njeri nga puna se thotë ai

Pas kërkesës së Edi Ramës për shkarkimin e drejtuesve të njësive administrative në të gjitha bashkitë e vendit, si dhe për një rifreskim të thellë të nënkryetarëve, ka reaguar kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja. 

Në një prononcim për mediat, Qosja u shpreh qartë se nuk do të ndërmarrë asnjë shkarkim thjesht për shkak të urdhrit të kryeministrit, por vetëm nëse performanca e punonjësve e justifikon një vendim të tillë.

"Nuk do shkarkoj për shkak të kryeministrit. Kryetarët e njësive administrative do i shkarkoj vetëm në varësi të performancës," – deklaroi Qosja.

Lidhur me akuzat e Ramës se nënkryetarët janë të lodhur dhe të rraskapitur, kryebashkiaku i Kavajës ka mohuar kategorikisht të jetë kjo situata në administratën e tij.

"Nënkryetarët e Kavajës nuk janë të lodhur," – tha ai, duke shtuar se nuk pajtohet me deklaratat e kryeministrit.

I pyetur nëse bie dakord me kërkesën e Ramës, Qosja theksoi:

"Jo, absolutisht jo. Ju më bëni pyetje politike. Ai e ka me të vetët, nuk e ka me të mitë."

Ky qëndrim i Qosjes konsiderohet nga analistët si një qëndrim i pavarur dhe sfidues ndaj autoritetit të qeverisë qendrore, në një kohë kur raportet mes pushtetit lokal dhe atij qendror po shfaqin shenja tensioni.