Raportimet për krimbin mishngrënës tropikal ndalojnë eksportin e gjedhëve nga Meksika. Sa rrezik paraqet ky parazit për njerëzit?

Rishfaqja e krimbit mishngrënës tropikal, që përbën një kërcënim serioz për shëndetin e bagëtive, ka bërë që Departamenti Amerikan i Bujqësisë të ndalojë dërgesat e gjedhëve nga Meksika drejt Shteteve të Bashkuara.

Ky është të paktën hera e dytë këtë vit që importet e gjedhëve nga Meksika janë pezulluar për shkak të kësaj mize parazitare.

Sekretarja e Bujqësisë, Brooke Rollins, e bëri njoftimin të mërkurën mbrëma, duke lëshuar një paralajmërim për këtë “dëmtues vdekjeprurës”.

Më poshtë janë disa informacione mbi krimbin mishngrënës tropikal dhe rrezikun që ai paraqet për njerëzit.

Çfarë është krimbi mishngrënës tropikal?

Ky parazit vazhdon të jetë endemik në disa zona të Karaibeve dhe Amerikës së Jugut. Ai ishte çrrënjosur nga SHBA në vitin 1966, megjithatë ekziston rreziku i rikthimit të tij përmes Amerikës Qendrore dhe Meksikës.

Një mizë femër zakonisht i vendos vezët në plagë ose në membranat mukoze të një kafshe me gjak të ngrohtë, si një kalë apo lopë. Pasi vezët çelin, larvat ushqehen me indet e gjalla të organizmit pritës, duke përdorur gojën e tyre të mprehtë.

Emri i këtij insekti vjen nga mënyra se si larvat “burgosin” veten në inde, duke u futur thellë në to në një mënyrë që ngjan me vidhosje.

Nëse nuk trajtohet, pritësi mund të vdesë nga një gjendje e quajtur myiazë – infeksion i shkaktuar nga larvat e mizave.

Rreziqet për njerëzit

Ndërsa kjo sëmundje prek kryesisht bagëtinë, miaza e shkaktuar nga krimbi mishngrënës tropikal mund të prekë edhe njerëzit, edhe pse rrallë.

Infektimet tek njerëzit shpesh shkaktojnë plagë të dhimbshme dhe gjakderdhje nga lëndime të hapura, si dhe simptoma të tjera të përmendura nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Mund të ndodhë edhe nxjerrja e një ere të rëndë nga plaga.

Sipas CDC, njerëzit që udhëtojnë në Amerikën e Jugut apo në Karaibe, ku gjendet ky parazit, kanë një rrezik më të madh për infeksion nëse kanë plagë të hapura. Ata me sistem imunitar të dobësuar apo që janë të kequshqyer gjithashtu janë më të rrezikuar.

Meksika raportoi rastin e parë të infektimit të një njeriu në prill, pacienti u trajtua dhe gjendja e tij mbeti e qëndrueshme. Deri më 30 maj, ishin raportuar gjithsej 8 raste në Meksikë.

Zbulimi i hershëm i krimbit mishngrënës tropikal është thelbësor për mbijetesën e organizmit pritës. Trajtimi përfshin heqjen e menjëhershme të larvave nga plaga apo vrima e prekur në trup. Nuk ekziston ndonjë medikament specifik për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Ndalimi i dërgesave të gjedhëve

SHBA ndërpreu për herë të fundit importet e gjedhëve, kuajve dhe bizonëve nga Meksika në muajin maj, për shkak të përhapjes së shpejtë të rasteve me krimbin mishngrënës tropikal në veri të Meksikës, rreth 700 kilometra nga kufiri jugor amerikan.

Importet rifilluan përkohësisht këtë javë, por u pezulluan sërish. Rihapja fillestare nisi në një pikëkalim kufitar pranë Douglas, Arizona.

Rastet më të fundit të infeksionit janë zbuluar rreth 370 kilometra në jug të kufirit.

Nëse krimbi mishngrënës tropikal do të shkaktonte një shpërthim të ri në SHBA, si në vitet 1950 dhe 1960, pasoja do të ishin fatale për bagëtitë, kafshët shtëpiake, jetën e egër, dhe potencialisht për njerëzit. Një shpërthim i tillë gjithashtu mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike për industrinë amerikane të mishit të viçit dhe të çojë në rritje të çmimeve të mishit.