Paralajmërojnë mjekët: Spitali më i madh funksional i Gazës përballet me katastrofë, ndërsa Izraeli zgjeron ofensivën

Spitali më i madh funksional në jug të Gazës, Kompleksi Mjekësor Nasser, ndodhet pranë një katastrofe humanitare pas përparimit të forcave izraelite dhe mungesës kritike të karburantit që kërcënon të ndalojë shërbimet jetike.

Të enjten, spitali ndaloi pranimin e pacientëve, teksa trupat dhe tanket izraelite përparuan deri në një varrezë vetëm 200 metra larg, duke goditur zonat përreth me armë dhe predha, përfshirë kampet e familjeve të zhvendosura.

Megjithëse të premten ushtria izraelite u tërhoq nga zonat pranë spitalit, stafi mjekësor dhe dhjetëra pacientë në kujdes intensiv mbeten brenda objektit, përballë ndërprerjes së mundshme të energjisë. Sipas stafit, gjeneratorët mund të funksionojnë edhe për një ditë, ndërsa shpresojnë të kursejnë energji duke kufizuar furnizimin vetëm për repartet kritike. “Jemi më afër vdekjes sesa jetës”, u shprehën ata në një mesazh dërguar gazetarëve.

Ushtria izraelite konfirmoi të premten se një brigadë e blinduar po operon në Khan Younis për të “çmontuar infrastrukturën terroriste” dhe për të sekuestruar armë, duke lëshuar gjithashtu urdhra evakuimi për zonat përreth spitalit. Dëshmitarët thonë se tanket izraelite, të shoqëruara nga ekskavatorë dhe buldozerë, qëlluan drejt tendave të zhvendosurve dhe dogjën një pjesë të tyre, ndërsa dronët qëlluan për të larguar banorët nga zonat përreth. Pamjet tregojnë re tymi që ngrihen mbi kampet e dëmtuara dhe civilë që vrapojnë për t’u strehuar.

Mjekët paralajmërojnë se ndërprerja e energjisë do të sjellë vdekje të menjëhershme për pacientët që varen nga ventilatorët dhe për foshnjat në njësitë neonatale. Ndërkohë, mungesa e furnizimeve mjekësore po përkeqëson më tej krizën. Përfaqësuesi i OBSH-së në Gaza, Dr Rik Peeperkorn, e përshkroi spitalin Nasser si një “repart masiv traumash”, ku po trajtohen mbi 700 pacientë, ndonëse kapaciteti është vetëm për 350 shtretër.

Sulmet izraelite kanë shkaktuar viktima edhe mes civilëve. Të paktën 10 persona që prisnin ndihma u vranë pranë një pike shpërndarjeje në Rafah, ndërsa në veri të Gazës një komandant i Hamasit dhe familja e tij u vranë në një sulm ajror mbi një shkollë në Jabalia. Një tjetër komandant u vra në kampin al-Shati.

Ndërsa ofensiva vazhdon, përpjekjet për një armëpushim duket se kanë ngecur. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi nga SHBA se një marrëveshje për lirimin e pengjeve mund të arrihet “brenda pak ditësh”, por zyrtarë palestinezë thonë se negociatat në Katar janë në ngërç për shkak të shpërndarjes së ndihmave dhe pranisë së trupave izraelite.

Lufta nisi më 7 tetor 2023 pas një sulmi të Hamasit në Izraelin jugor ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng, çka çoi në një fushatë të gjerë ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, me pasoja shkatërruese për civilët palestinezë./ BBC - Syri.net