Madagaskar/ Gjykata dënon me ‘kastrim kirurgjikal’ burrin për shkak se përdhunoi një vajzë 6-vjeçare

Një gjykatë në Madagaskar dënoi një burrë me ‘kastrim kirurgjik’ për shkak se përdhunoi një të miture vitin e kaluar. Sipas një zyrtari gjyqësor, kjo është hera e parë që vendoset një dënim i tillë në vend.

Burri u dënua për përdhunim dhe përpjekje për vrasje të një vajze 6-vjeçare në një komunitet 30 kilometra nga Antananarivo, kryeqyteti i Madagaskarit, shpjegoi prokurori i përgjithshëm i gjykatës së apelit ku u gjykua çështja.

“Personi i akuzuar në këtë rast u dënua nga gjykata me burgim të përjetshëm me punë të detyruar dhe kastrim,” shtoi ai në një deklaratë që u shpërnda në media nga Ministria e Drejtësisë.

Dënimi me kastrim është miratuar vitin e kaluar në Madagaskar në kuadër të një ligji që lidhet me përdhunimet ndaj të miturve nën moshën 10 vjeç.

Qeveria shpjegoi se ligji u miratua për shkak të numrit të lartë të rasteve të tilla të regjistruara në gjykata.

“Vendimi i sotëm përfaqëson një përgjigje të fortë dhe të rëndësishme nga sistemi gjyqësor, me qëllim të shërbejë edhe si paralajmërim për këdo që ka qëllime të ngjashme keqdashëse,” theksoi prokurori i përgjithshëm.

Në cilat vende zbatohet kastrimi kirurgjik

Kastrimi kirurgjik aplikohet si ndëshkim për disa krime seksuale në Çeki dhe Gjermani, me pëlqimin e të dënuarit.

Luiziana u bë vitin e kaluar shteti i parë amerikan që parashikon këtë dënim për autorët e disa krimeve seksuale ndaj të miturve.

Kastrimi kimik, i cili kryhet përmes administrimit të medikamenteve dhe është i kthyeshëm, është miratuar si ndëshkim për krime seksuale në disa shtete të SHBA-së, por edhe në vende si Polonia dhe Koreja e Jugut. Britania e Madhe gjithashtu po shqyrton mundësinë e miratimit të tij.

Organizatat për të drejtat e njeriut argumentojnë se të dyja këto praktika janë të pamoralshme dhe se përpjekjet duhet të përqendrohen në inkurajimin e viktimave të raportojnë abuzimin, në mbrojtjen e tyre nga hakmarrjet e mundshme dhe në masa më të gjera për parandalimin e abuzimeve. Syri.net-CNN.gr