Pamje si skena lufte në Theth? Policët të armatosur u drejtojnë kallashnikovin banorëve, inspektori i IKMT i shan si rrugaç
Në vend që të flitej për bukuritë natyrore, mikpritjen alpine dhe turistët që mbushin shtigjet malore, Thethi sot është në qendër të vëmendjes për arsye krejt të tjera: përplasje me armë, molotovë dhe tensione mes banorëve dhe forcave të rendit.
Situata agravoi sot kur në përplasjet mes banorëve dhe forcave të rendit, u përdorën edhe mjete të rrezikshme si molotovë, ndërsa në pamjet e shpërndara në rrjet shihen policë të armatosur me kallashnikovë që përballen me qytetarët. Zyrtari i lartë i IKMT-së Fatmir Metaj ka shpërthyer në ofendime dhe sharje kundrejt banorëve të Thethit. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, Metaj i hipur mbi fadromën e punës, ka nisur një seri sharjesh ndaj banorëve që kanë hedhur molotov kundrejt urës prej druri në Theth.
Nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Banorët shprehen të indinjuar që ky aksion po ndodh në kulmin e sezonit turistik, duke dëmtuar jo vetëm investimet e tyre, por edhe imazhin e një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit malor në Shqipëri.Thethi sot nuk flet për paqe, por për përplasje. Dhe kjo është një plagë për një zonë që meriton zhvillim të qëndrueshëm dhe jo konfrontime me armë.