SYRI TV/ Sali Berisha: Raporti i KE groposi shtetin ligjor në vend, Rama po përhap dezinformime të turpshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lexoi këtë të premte pjesë nga raporti i Komisionit Europian, i cili i dha goditje qeverisjes së Edi Ramës, sa i përket shtetit të së drejtës dhe situatës ku ndodhet vendi. Berisha theksoi se, përkundër kësaj, Edi Rama përdori në mënyrë të turpshme mediat kombëtare, Kuvendin dhe Presidencën për të dezinformuar publikun.

Në daljen për gazetarët, lideri i opozitës publikoi prova tronditëse për manipulimin e votës së diasporës më 11 maj.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, publikoi raportin e Komisionit Evropian, i cili godet rëndë shtetin ligjor në vend dhe rrëzon dezinformimin e përhapur nga Presidenca dhe Kuvendi, përmes mediave që kontrollohen nga qeveria. Nga selia blu, Berisha iu referua konstatimeve të raportit dhe theksoi se institucionet e drejtësisë funksionojnë si “korporata” pa koordinim dhe transparencë.

Berisha denoncoi dështimin në luftën kundër korrupsionit dhe bëri me dije problemet e konstatuara gjatë vetingut. Për farsën elektorale, kreu demokrat shfaqi prova të tjera të reja, ku zarfet e dorëzuara nga DHL-ja ishin vetëm disa viza në vend të firmës së marrësit.

Sali Berisha deklaroi se zarfet me fletët e votimit nuk u dorëzuan tek qytetarët në diasporë, por u grumbulluan në një qendër dhe u plotësuan nga Partia Socialiste.