SYRI TV/ PS braktis këshillin bashkiak Elbasan, anëtarët e PS nuk morën pjesën në mbledhje

Anëtarët e PS në Këshillin Bashkiak të Elbasanit braktisën mbledhjen e thirrur këtë të premte për të diskutuar mbi katastrofën mjedisore të shkaktuar nga zjarri në landfillin e qytetit.

Ata nuk morën pjesë në mbledhje, e cila u mbyll pa nisur fare për shkak të mosplotësimit të kuorumit të nevojshëm. Nga ana tjetër, këshilltarët e opozitës ngritën akuza, duke pretenduar se mungesa e anëtarëve ishte e qëllimshme dhe e urdhëruar.

Situata e rënduar mjedisore që ka përfshirë Elbasanin çoi në thirrjen e një mbledhjeje jashtë radhe të Këshillit Bashkiak këtë të premte, me qëllim diskutimin e hapave konkretë për të gjetur një zgjidhje. Megjithëse mbledhja ishte paralajmëruar prej ditësh, anëtarët e mazhorancës zgjodhën të mos marrin pjesë, duke e lënë Këshillin pa kuorumin e nevojshëm. Si pasojë, mbledhja u deklarua e mbyllur pa u zhvilluar.

Opozita shprehu revoltën për bojkotin, duke kërkuar që mbledhja të shtyhej me disa ditë për të mundësuar praninë e të gjithë këshilltarëve. Kërkesa u injorua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, i cili u largua menjëherë pas saj.

Anëtarët e opozitës e cilësuan këtë si një “shfaqje të turpshme” nga ana e kryetarit të bashkisë dhe këshilltarëve të Partisë Socialiste, të cilët – sipas tyre – duhet të kishin minimalisht dinjitetin për të marrë pjesë ose për të kërkuar zyrtarisht një shtyrje në rast pamundësie. Ata theksuan se mungesa e anëtarëve ishte një vendim politik dhe i qëllimshëm.

Opozita theksoi se ndotja mjedisore e shkaktuar nga djegia në landfill prek të gjithë qytetarët, pa dallime partiake. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.