Ndërhyrja antikushtetuese e Ramës në drejtimin e pushtetit vendor/ Reagon ashpër Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë ka reaguar ashpër pas ndërhyrjeve të fundit antikushtetuese të kryeministrit Edi Rama në drejtimin e bashkive të vendit, ku i ka kërkuar të gjithë drejtorëve dhe drejtuesve të Njësive Vendore të japin dorëheqje.
Në një reagim në Facebook, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë thekson se ‘deklaratat publike të bëra së fundmi, që u bëjnë thirrje kryetarëve të bashkive të ndërmarrin shkarkime masive në administratën vendore, janë jashtë çdo kuadri ligjor’.
‘Administrata vendore është një strukturë profesionale dhe funksionale e ndërtuar mbi parimin e autonomisë vendore, e cila nuk është dhe nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë qendrore apo i mazhorancës politike’ thuhet në qëndrim.
Gjithashtu ‘shoqata u bën thirrje të zgjedhurve vendorë të mbrojnë integritetin e institucioneve që përfaqësojnë dhe të mos lejojnë asnjë ndërhyrje që cënon rendin kushtetues, vetëqeverisjen lokale dhe besimin e qytetarëve në demokracinë vendore’.
Më poshtë është qëndrimi i shoqatës së të zgjedhurve vendorë (demokrat) të kryesuar nga Fisnik Qosja/ Sekretar, Ylli Asllani.
Qëndrim i Shoqatës së të Zgjedhurve Vendorë
Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë shpreh shqetësimin e saj për deklaratat publike të bëra së fundmi, që u bëjnë thirrje kryetarëve të bashkive të ndërmarrin shkarkime masive në administratën vendore, jashtë çdo kuadri ligjor.
I bëjmë thirrje të gjitha bashkive, veçanërisht atyre të drejtuara nga opozita, të qëndrojnë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, duke mos lejuar që presionet politike apo direktivat e pavend të diktojnë vendimmarrjen administrative.
Administrata vendore është një strukturë profesionale dhe funksionale e ndërtuar mbi parimin e autonomisë vendore, e cila nuk është dhe nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë qendrore apo i mazhorancës politike.
Çdo vendim mbi strukturat dhe funksionet e njësive administrative apo drejtuesve të tyre duhet të bazohet në kritere objektive:
-vlerësim të performancës,
-nevoja të shërbimit publik,
-dhe interesin e qytetarëve.
Shoqata u bën thirrje të zgjedhurve vendorë të mbrojnë integritetin e institucioneve që përfaqësojnë dhe të mos lejojnë asnjë ndërhyrje që cënon rendin kushtetues, vetëqeverisjen lokale dhe besimin e qytetarëve në demokracinë vendore.
Komiteti Drejtues i Shoqates