Goditet rrjeti i prostitucionit në Vlorë/ Në kërkim një shtetase spanjolle, procedohen 3 vajza nga Venezuela
Policia e Vlorës ka zbuluar dhe goditur një rast të shfrytëzimit të shtetaseve të huaja për prostitucion, pas një hetimi të kryer nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Vlorë.
Në kuadër të operacionit hetimor, është shpallur në kërkim shtetasja A. A., 43 vjeçe, banuese në Spanjë, e cila dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në lagjen “Pavarësia 3” në Vlorë, ku organizonte dhe shfrytëzonte për prostitucion shtetase të huaja.
Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë tre shtetase me origjinë nga Venezuela: R. L., 25 vjeçe, K. C., 30 vjeçe, H. S., 30 vjeçe, të cilat ushtronin prostitucion në apartamentin e marrë me qira nga shtetasja spanjolle.
Policia ka referuar materialet për ndjekje të mëtejshme në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e shtetases së shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Autoritetet theksojnë se lufta kundër shfrytëzimit për prostitucion dhe trafikimit të qenieve njerëzore mbetet një nga prioritetet kryesore të strukturave të Policisë së Shtetit.