Jordan Henderson arrin marrëveshje për t’u rikthyer sërish në Premier League
Mesfushori i Anglisë, Jordan Henderson, pritet të nënshkruajë me Brentford pas largimit nga Ajaxi.
35-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës londineze me një kontratë dyvjeçare, pasi klubi holandez pranoi ta ndërpresë kontratën e tij një vit para përfundimit.
Për Henderson ka patur interes nga disa klube të njohura në Angli dhe Evropë, por Brentford ka fituar garën për të siguruar shërbimet e ish-kapitenit të Liverpoolit.
Rikthimi në elitën e futbollit anglez do t’i japë Hendersonit një platformë ideale për të ruajtur vendin në skuadrën e Anglisë të drejtuar nga Thomas Tuchel, në prag të Kupës së Botës të vitit të ardhshëm.
Mesfushori me 84 paraqitje me fanellën e “Tre Luanëve” do të zëvendësojë kapitenin e mëparshëm të Brentford, Christian Norgaard, i cili është transferuar tek Arsenali.
Finalizimi i marrëveshjes pritet të konfirmohet gjatë ditëve në vijim.
Kjo lëvizje do ta rikthejë Hendersonin në Premier League, pasi ai u largua nga Liverpooli në vitin 2023 për t’u bashkuar me Al-Ettifaq në Arabinë Saudite.
Megjithatë, qëndrimi i tij atje zgjati më pak se gjashtë muaj, para se të transferohej tek Ajax në janar 2024.
Ai zhvilloi mbi 50 ndeshje me klubin holandez, por u largua pas një sezoni ku Ajaxi e humbi titullin në ditën e fundit, me PSV Eindhoven që u shpall kampion.