Dita e Srebrenicës/ Autokrati Vuçiç bojkoton pajtimin, BE i ka mbyllur sytë
Presidenti autokrat serb, Aleksandar Vuçiç po e bojkoton pajtimin. Edhe për shkak të llogarive të brendshme politike, ai vazhdon të mbështetet në rrëfime nacionaliste dhe raciste
Nga Silvia Bielert, FRANKFURTER RUNDSCHAU
Vetëm në vitin 2024 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi të krijojë një ditë përkujtimore për masakrat e Srebrenicës të vitit 1995. Një akt simbolik, për të njohur vuajtjen e viktimave dhe pasardhësve të tyre.
Por 19 shtete votuan kundër, ndër to Rusia, Hungaria, Bjellorusia, Kina, Koreja e Veriut dhe: Serbia. Vendi me të cilin identifikohen shumica e serbëve etnikë që jetojnë në territoret e ish-Jugosllavisë – edhe pse banojnë në Kosovë, Kroaci apo Bosnje-Hercegovinë – përfshirë edhe autorët e krimeve.
Gjenocidi i Srebrenicës nuk përshtatet me rrëfimet raciste dhe ekstremiste të djathta të presidentit Aleksandar Vuçiç, me të cilat ai ushqen frikë për sulme të mëtejshme dhe luftë, tek viktimat e dhunës serbe dhe pasardhësit e tyre.
Vuçiç e barazon masakrën, në të cilën mijëra djem dhe burra u ekzekutuan, me vrasjet e serbëve gjatë luftërave të viteve ’90, që u kryen gjithashtu nga luftëtarë boshnjakë. Në këtë mënyrë ai relativizon gjenocidin dhe vuajtjen e mijëra grave dhe vajzave të përdhunuara.
Autokrati e paraqet veten si babai i serbomadhisë. Urrejtja dhe nxitja kundër shqiptarëve të Kosovës, kroatëve apo myslimanëve boshnjakë janë pjesë e shfaqjes së tij politike të brendshme. Në këtë mënyrë ai bashkon pas vetes grupet nacionaliste, të cilat i përdor kundër lëvizjes qytetare që vazhdon të protestojë për demokraci, shtet ligjor dhe anëtarësim në BE.
Ai bashkëpunon ngushtë edhe me liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili kërkon shkëputjen e entitetit Republika Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina.
Po politikanët e BE-së? Ata i kanë sytë te litiumi në luginën Jadar të Serbisë dhe po bëjnë të njëjtat gabime si dikur: nuk shohin nga afër çfarë po ndodh.