‘Model i oligarkisë dhe demagogjisë’/ Nesho: Regjimi i Ramës po ndiqet me vëmendje nga ndërkombëtarët

I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri TV, diplomati Agim Nesho tha se situata politike në Shqipëri po kalon një moment kritik, ku mënyra se si Edi Rama do të dalë nga faza zgjedhore paraqet një dilemë të madhe për të gjithë vendin.

 Sipas tij, regjimi aktual është nën presion të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga opinioni publik brenda vendit, por edhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur kritika maksimale për situatën në Shqipëri.

Nesho theksoi se në asnjë kohë tjetër në historinë e fundit të vendit nuk janë parë tensione dhe sfida të tilla ekstreme për institucionet dhe demokracinë shqiptare.

Pjesë nga intervista:

Ju keni të drejtë, kjo është dilema e madhe e Ramës, mënyra se si do të dalë nga faza zgjedhore. Tashmë ai ka bërë diçka që jo vetëm është perceptuar kështu nga opinioni publik, por edhe nga Parlamenti Europian notat e kritikave ndaj regjimit në Shqipëri kanë qenë maksimale. Nuk janë parë as në kushtet më ekstreme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria më parë.

Kritikat janë tepër të ashpra. Duket se jemi në një moment për marrjen e një vendimi të madh, sigurisht bazuar në raporte të ndryshme. Vendimmarrjet, të cilat në shumë raste ndërkombëtarët i trajtojnë si faza më të vonshme, janë gjithsesi të rëndësishme. Regjimi i Ramës tashmë po ndiqet me shumë kujdes për të gjitha veprimtaritë e tij që janë të papranueshme për standardet europiane. Kjo do të tërheqë vëmendje, dhe zakonisht kjo është një metodë e oligarkëve kudo në botë.

Nëse e shikojmë më nga afër, ky është tipiku i Ramës, sepse po ndiqja veprimtarinë e Madurós pas zgjedhjeve, e njëjta gjë ndodh: takime me popullin, rregullime për atë që kërkojnë njerëzit. E quan qeverisje popullore, për të marrë mendime jo vetëm nga grupet e interesit, por edhe nga qytetarët. Kjo është thjesht demagogji. Ajo që po ndodh në Venezuelë, e cila përdor të njëjtat metoda të autokratëve, është se Maduro po tenton të ndryshojë kushtetutën.

A do ta bëjë të njëjtën gjë Edi Rama nëse i lejohet të kalojë kjo fazë? Ju keni të drejtë që ky është momenti i vetëm për ndryshimin e vëmendjes dhe krijimin e diçkaje të re, për të treguar se, ashtu si filloi në 2013, këtu nuk ka shtet. Tani ka dalë me të ashtuquajturën 'republikë të drejtorëve', sikur këta drejtorë janë grupe interesi që kanë hyrë me votë por në fakt janë zgjedhur nga Rama.

Kjo është e vetmja administratë e korruptuar që ka sjellë këtë vjedhje masive në Shqipëri, e zgjedhur prej tij.