Pse Trump po e synon Brazilin dhe a do të ketë efekt të kundërt për Bolsonaron?
Një mesazh i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën ndezi një krizë të re diplomatike me Brazilin, duke e çuar marrëdhënien mes dy vendeve në pikën më të ulët historike. Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave deri në 50% ndaj produkteve braziliane, duke akuzuar Brazilin për “sulme” kundër kompanive teknologjike amerikane dhe një “gjueti shtrigash” kundër mikut të tij të afërt, ish-presidentit Jair Bolsonaro. Ky veprim vjen në mes të tensioneve të rritura mes Trump dhe presidentit aktual brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, dhe shihet si një ndërhyrje e paprecedentë në çështjet e brendshme të një aleati rajonal.
Në reagimin e tij, Lula theksoi sovranitetin e Brazilit, duke deklaruar se vendi “nuk do të pranojë asnjë formë tutelimi”. Nga ana e tij, Trump e paraqiti kërcënimin si pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbrojtur ekonominë amerikane, por komentet dhe përmbajtja politike e mesazhit zbuluan mbështetjen e qartë për Bolsonaron, i cili përballet me ndjekje penale për një komplot të dyshuar për përmbysjen e zgjedhjeve të vitit 2022. Analistët vlerësojnë se gjesti i Trump mund të ketë efekt të dyfishtë në politikën braziliane, duke e forcuar pozicionin e Bolsonaros te baza e tij, por edhe duke ofruar Lulës një mundësi për të mobilizuar opinionin publik kundër një agresioni të huaj.
Mbështetësit e Bolsonaros po e përshkruajnë reagimin e Trump si një “shenjë solidariteti”, ndërkohë që vetë Bolsonaro, i ndaluar të kandidojë deri në vitin 2030, mbetet një figurë e fortë në të djathtën braziliane. Nga ana tjetër, disa sektorë ekonomikë – si agrobiznesi – paralajmërojnë për pasoja serioze nëse tarifa të tilla hyjnë në fuqi, sidomos në eksportet e kafesë, mishit dhe agrumeve.
Sipas ekspertëve, edhe kritikët e Lulës mund të ndihen të prekur nga ndërhyrja e Trump, duke u rreshtuar përkohësisht përkrah presidentit në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve dhe interesit kombëtar. Një sondazh i fundit tregoi se 55% e brazilianëve nuk e miratojnë Trumpin, duke ngritur pikëpyetje për efektin real të deklaratave të tij në opinionin publik.
Zgjedhjet presidenciale në Brazil janë ende larg, por përplasja e re me SHBA-në po rishkruan shpejt terrenin politik. Trump, me një postim të vetëm, ka ndezur një betejë që mund të ndikojë jo vetëm në ekonominë e Brazilit, por edhe në të ardhmen e dy presidentëve – njëri në detyrë, tjetri në pritje për t’u rikthyer./ BBC - Syri.net