‘Eliminim total i karteleve’/ ‘Shuplaka’ e SHBA për Dumanin, ja dokumenti që u dorëzua në SPAK
Disa javë pasi Altin Dumani lejoi krerët e kartelit të Durrësit të arratisen, edhe pse ata kërkoheshin ndërkombëtarisht, vjen një goditje e fortë për kreun e SPAK.
E Ngarkuara me Punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn bëri një takim me Dumanin dhe disa prokurorë të SPAK.
Por ndryshe nga sa përpiqen ta paraqesin mediat pranë qeverisë, në fokus të takimit ishte një dokument zyrtar i SHBA për luftën totale ndaj karteleve.
Në takim u fol për krimin transnacional, trafikun e drogës dhe emigracionin e paligjshëm.
Ambasada amerikane shpërndau edhe dokumentin në fjalë.
Bëhet fjalë për memorandumin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA me subjekt: Eliminimin total të karteleve dhe organizatave kriminale transnacionale.
Dokumenti në fjalë bazohet në urdhrin e presidentit Donald Trump për të ndryshuar plotësisht qasjen në luftën ndaj karteleve. Këto të fundit janë shpallur si organizata terroriste.
“Më 20 janar 2025, Presidenti Trump udhëzoi qeverinë federale të rishikojë strategjitë ekzistuese të sigurisë kombëtare dhe luftës kundër narkotikëve, me qëllim eliminimin total të karteleve dhe organizatave kriminale transnacionale (TCO). Kjo politikë kërkon një ndryshim themelor në mënyrën e të menduarit dhe në qasjen që ndjekim.
Duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht të përpiqemi të zbusim dëmet e mëdha që këto grupe shkaktojnë në SHBA. Nuk mjafton vetëm të ndalojmë përhapjen e helmeve vdekjeprurëse, siç është fentanili, që këto grupe shpërndajnë brenda vendit. Përkundrazi, duhet të përdorim burimet e Departamentit të Drejtësisë dhe të fuqizojmë prokurorët federalë në të gjithë vendin për të punuar me urgjencë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe agjencitë e tjera të qeverisë drejt qëllimit të eliminimit të kërcënimeve ndaj sovranitetit amerikan. Ky memorandum përcakton udhëzimet dhe iniciativat për të nisur menjëherë këto përpjekje,” thuhet në dokument.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama ka pritur në zyrën e tij një përfaqësues të kartelit meksikan Sinaloa, i cilësuar si një nga më të rrezikshmit në botë dhe i dizenjuar si organizatë terroriste nga SHBA.