Holandë: 43-vjeçar rus dënohet me 3 vite burg për ndarjen e teknologjisë së ndjeshme me Rusinë

Një shtetas rus 43-vjeçar është dënuar nga Gjykata e Qarkut të Roterdamit me tre vite burgim për ndarjen e informacionit të ndjeshëm teknologjik me një person në Rusi, duke shkelur sanksionet ndërkombëtare.

Në vendimin e saj me shkrim, gjykata thekson se ndarja e teknologjisë me Rusinë është një çështje “jashtëzakonisht serioze”, me pasoja të drejtpërdrejta për “sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar”.

Burri, identiteti i të cilit nuk u bë publik në përputhje me rregullat e privatësisë holandeze, kishte punuar për kompaninë gjigante të teknologjisë ASML, prodhuesin më të madh në botë të pajisjeve për prodhimin e çipave gjysmëpërçues. Ai u shpall fajtor për shpërndarjen e të dhënave lidhur me ngritjen e një linje prodhimi për mikroçipa në Rusi, teknologji që ka aplikime të gjera, përfshirë ato ushtarake si dronët, një komponent kyç në luftën e Moskës në Ukrainë.

Sipas vendimit, i pandehuri kishte dërguar dosjet përmes aplikacionit të koduar Signal dhe kishte pranuar gjatë gjyqit më 26 qershor se kishte ndarë këshilla teknike pa u siguruar nëse veprimi ishte i ligjshëm. “Po, dhashë këshilla”, tha ai, duke pranuar se nuk kishte verifikuar rregullsinë e dërgesës së dokumenteve.

ASML, një aktor kyç në industrinë globale të çipave, ka qenë në fokusin e kufizimeve të eksportit të vendosura nga SHBA-ja për të frenuar përparimin teknologjik të Kinës. Por rasti i fundit nënvizon një tjetër rrezik në rritje – shënjestrimin nga aktorët rusë për të përvetësuar teknologji me përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak.

Kjo nuk është hera e parë që industria teknologjike holandeze është objekt i spiunazhit industrial. Në vitin 2020, shërbimet inteligjente holandeze identifikuan dy spiunë rusë që kishin si objektiv teknologjitë e avancuara si inteligjenca artificiale, nanoteknologjia dhe çipat gjysmëpërçues.

I dënuari, i cili nuk reagoi gjatë shpalljes së vendimit, ka afat 14-ditor për të apeluar vendimin e gjykatës. Nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga kompania ASML.