Shefja e OKB-së për migracionin: Kufijtë e shtrënguar dhe shkurtimet e ndihmave mund të rrezikojnë më shumë paqëndrueshmëri

Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Amy Pope, ka dhënë një paralajmërim të fortë ndaj vendeve perëndimore, duke thënë se përqendrimi vetëm në zbatimin e politikave të rrepta kufitare, pa trajtuar shkaqet rrënjësore të migracionit, është një qasje e rrezikshme dhe e dritëshkurtër.

Në një intervistë për Associated Press, gjatë një konference ndërkombëtare në Romë për rindërtimin e Ukrainës, Pope theksoi se mungesa e investimeve për stabilitetin e vendeve të origjinës do të sjellë pasoja afatgjata për rajonet e prekura dhe për vetë vendet pritëse.

Komentet e saj vijnë në një moment kur shumë vende evropiane po kalojnë drejt politikave më të ashpra migratore, duke rritur financimet për deportime dhe për vendet e tranzitit, në përpjekje për të ndaluar flukset e migrantëve. “Nëse doni të menaxhoni migrimin e parregullt, atëherë duhet të bëni investime në stabilizimin e popullatave më afër vendit ku fillon migrimi”, tha Pope. Ajo kritikoi gjithashtu prerjen e ndihmës së jashtme pa alternativa të qëndrueshme, duke paralajmëruar se kjo mund të nxisë më shumë lëvizje të popullatave.

Pope veçoi Sirinë si një shembull kritik, duke nënvizuar se kthimi i parakohshëm i refugjatëve sirianë në kushte të pasigurta mund të jetë kundërproduktiv dhe të përkeqësojë më tej situatën. “Nëse sirianët kthehen shumë shpejt në një vend të shkatërruar dhe të pasigurt, kjo mund të kthehet kundër nesh,” tha ajo.

Shefja e IOM-it foli gjithashtu për ndikimet globale të politikave të SHBA-së ndaj kufijve, duke thënë se kufizimet më të ashpra në kufirin SHBA-Meksikë kanë shkaktuar një përmbysje të flukseve, me më shumë migrantë që lëvizin drejt jugut, duke ushtruar presion të ri mbi vendet e Amerikës Qendrore si Panama dhe Kosta Rika.

Nga ana tjetër, Pope vlerësoi qasjen e Italisë, e cila po kombinon masa të forta kufitare me kanale të ligjshme të migrimit, përmes planeve për të dhënë rreth 500,000 leje pune për qytetarë jashtë BE-së deri në vitin 2029. Ajo e cilësoi këtë politikë si një “eksperiment” që duhet ndjekur me vëmendje nga shtetet e tjera, duke theksuar rëndësinë e një balanci midis kontrollit dhe bashkëpunimit.

“Ne i inkurajojmë qeveritë të ndjekin nga afër atë që po ndodh në këtë hapësirë,” përfundoi Pope./ Euronews - Syri.net