Osmani: Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia ndaj Kosovës javët e fundit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump, ka luajtur një rol kyç në ndalimin e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës në veri të Kosovës, që mund të vinte nga Serbia. Ajo tha se posedon “informacione të besueshme” për këtë ndërhyrje të kohëve të fundit.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit,” u shpreh Osmani gjatë një ligjërate në Uashington, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ngjarje të vitit 2023 apo më herët, por për zhvillime shumë të fundit.

Në fjalën e saj, ajo rikujtoi edhe sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni të planifikuar brenda Serbisë”. Sipas saj, rreziqet nga Beogradi janë të vazhdueshme dhe nuk duhen nënvlerësuar.

“Meqenëse ka ndodhur më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi kërkon më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkohet udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim – kjo është ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës,” theksoi presidentja.

Duke folur për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Osmani tha se ai “ka mbetur i ngujuar në mendësinë e viteve ’90” dhe përmendi sulmin në Banjskë si dëshmi e qartë e kësaj qasjeje.

Presidentja përfundoi duke theksuar se Kosova mbetet e vendosur në partneritetin e saj strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe pret që ky bashkëpunim të mbetet kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.