Rama godet Trump nga Roma: Askush jashtë BE të mos na japë leksione për paqe
Deliri i Edi Ramës po i ngjan përditë e më shumë atij të Enver Hoxhës, i cili godiste ku të mundte rrezikun anglo-amerikan.
I ftuar në Konferencën e 4-t Ndërkombëtare për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e mbajtur këtë të enjte në Romë, Edi Rama si thuajse askush nga drejtuesit e vendeve të vogla ka sulmuar Rusinë dhe vende të tjera që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, si SHBA-ja, Britania e Madhe, të cilat po përpiqen maksimalisht të rikthejnë paqen në rajon.
Në fjalën e tij, Rama është kujdesur të theksojë se e vetmja që mund t’i sjellë paqe Ukrainës është Europa, po edhe ajo nuk duhet të thotë vetëm fjalë, por të bëjë sa më shpejt një plan paqeje.
“Askush nuk ka një formulë magjike, por të flasësh për paqen nuk e ndal luftën. Nëse duam ta ndihmojmë realisht Ukrainën dhe t’i japim fund kësaj lufte të tmerrshme, duhet një plan i qartë dhe i koordinuar për paqen,” u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar vuri theksin edhe tek rëndësia e unitetit evropian, duke u shprehur se nuk duhet lejuar që të tjerë, jashtë kufijve të Bashkimit Evropian, të diktojnë çfarë është paqja, duke nënkuptuar këtu përpjekjet e Donald Trump për të rikthyer paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Nuk duhet të lejojmë askënd jashtë kufijve të Evropës demokratike të na japë leksione për paqen. Ukraina nuk është agresore. Ajo nuk e ka nisur këtë luftë që derdh gjak çdo ditë në portat e kontinentit tonë,” tha ai.
Këto mesdazhe të rrezikshme anti amerikane të Ramës u kujtojnë shqiptarëve retorikën hoxhiste mbi rrezikun nga imperializmi anglo-amerikan.