Cilat janë vendet më të mira evropiane për ekuilibrin midis punës dhe jetës personale?

Luksemburgu, Irlanda dhe Belgjika janë vlerësuar si ndër vendet më të mira për të punuar në Evropë, sipas dy studimeve të reja që analizojnë ekuilibrin mes jetës profesionale dhe asaj personale.

Studimet janë realizuar nga HR platforma Remote dhe faqja ndërkombëtare e punësimit JobLeads, të cilat shqyrtuan indikatorë të tillë si orët e punës, lejet e sëmundjes, puna në distancë dhe moshat e daljes në pension. Sipas JobLeads, Luksemburgu është vendi më i mirë për të punuar, ndërsa Remote renditi Irlandën të parën në Evropë, falë sigurisë dhe standardeve të larta të jetesës.

Luksemburgu u vlerësua për një javë pune 35-orëshe, lehtësitë në pushimet mjekësore dhe një jetëgjatësi të lartë jashtë tregut të punës, ndërsa Irlanda u veçua për ambientin e sigurt dhe miqësor ndaj komunitetit LGBTQ+. Ndërkohë, Belgjika performoi mirë në të dy raportet, duke u renditur në vendin e tretë sipas Remote dhe të katërtin në analizën e JobLeads, falë një jave pune të shkurtër dhe përfitimeve sociale të avancuara.

Studimi i Remote gjithashtu përfshiu shtatë kryeqytete evropiane ndër 10 vendet më të mira globale për punë dhe jetë, mes tyre Gjermania, Norvegjia, Danimarka, Spanja dhe Finlanda. Kanadaja dhe Australia plotësuan dhjetëshen më të mirë, ndërsa SHBA ranë në vendin e 59-të për shkak të rënies së sigurisë dhe përjashtimit social të komuniteteve të caktuara.

Gjermania u vlerësua lart në nivel global, por më pak në krahasim me fqinjët e saj evropianë, për shkak të moshës së lartë të pensionit dhe një norme relativisht të lartë të lodhjes nga puna. Ndërkohë, Franca mori rezultate kontradiktore: e dyta në raportin JobLeads dhe e 16-ta sipas Remote, për shkak të pagës minimale më të ulët dhe perceptimit të sigurisë publike.

Të dyja raportet theksojnë se vendet evropiane me javë pune më të shkurtër, kushte të mira të lejes mjekësore dhe fleksibilitet në punë janë gjithnjë e më tërheqëse për profesionistët që kërkojnë cilësi jete dhe balancë midis angazhimeve personale dhe atyre profesionale./