'Aksionet, maska e dështimeve të tij'/ Blushi: Qeveria Rama, shtet me dy standarde, mbron oligarkët dhe godet të dobëtit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë të fortë gjatë një interviste për edicionin informativ të Syri TV, denoncoi atë që e cilësoi si fytyra e vërtetë e regjimit autokratik të Edi Ramës, ku qytetarët që kërkojnë të jetojnë të lirë në vendin e tyre përndiqen, ndëshkohen apo edhe burgosen.

Blushi theksoi se aksionet e fundit të qeverisë, si ai në Vlorë apo në Theth, janë përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar dështimet e mëdha në turizëm, ekonomi dhe shërbime bazë, si uji i pijshëm.

Ai akuzoi qeverinë për shtet me dy standarde, që godet të dobëtit dhe mbron oligarkët e lidhur me pushtetin.

Pjesë nga intervista:

Nuk ka asnjë surprizë nga regjimi autokratik i Edi Ramës, kur e vetmja alternativë për të gjithë qytetarët që duan të jetojnë të lirë në vendin e tyre është burgu sepse Rama i urren njerëzit e lirë. Të mos harrojmë se, ndryshe nga fëmijët e tjerë në komunizëm, ai është rritur me idenë se ata që shkruajnë poezi për lirinë duhet të varen me litar.

Nuk është aspak surprizë që aksioni në Vlorë nisi për të mbuluar një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie sigurimin e ujit të pijshëm. Sot, Vlora, në kulmin e sezonit turistik, po thahet. Por jo vetëm kaq: qyteti po mbytet nga një landfill që, si çdo vit, ka shpërthyer si një “bombë” e vërtetë ekologjike një krim kundër njerëzimit. Tymrat që ngrihen nuk janë gjë tjetër veçse përbërës kimikë dhe kancerogjenë, që përbëjnë një kërcënim real për shëndetin e qytetarëve.

Sa i përket aksionit për lirimin e hapësirave publike ai është një farsë e plotë. Të mos harrojmë se Rama dhe drejtori karikatural i Policisë së Shtetit, që kërcënon drejtuesit vendorë për të ndaluar ndërtimet pa leje, nuk shohin ato që ndodhin në qendër të Tiranës. Aty ku hapësirat publike janë zaptuar prej kohësh, ata mbyllin sytë dhe ndjekin vetëm kioskat, qendrat dhe karriget e qytetarëve të thjeshtë, që me shumë sakrifica dhe duke paguar taksa në bashkitë përkatëse, përpiqen të sigurojnë të ardhura minimale për të mbijetuar. Ndërkohë, kullat në qendër nuk i sheh askush as Edi Rama, as Ilir Proda të cilët shohin vetëm qytetarët e zakonshëm që nxjerrin disa tavolina në trotuar.

Kjo është qartë një qeveri me dy standarde: godet të dobëtit dhe mbron të fortët. Ashtu si në Theth, ku banorët të cilët meritojnë mirënjohje maksimale për mikpritjen dhe për promovimin që i kanë bërë turizmit shqiptar në botë u prenë në besë nga i njëjti person që para zgjedhjeve ulej në sofër me ta për të ngrënë bukë, ndërsa sot u shemb pronat dhe u shkatërroi mundin dhe djersën.

Nuk ka asnjë surprizë. Janë përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar dështimin katastrofik të kësaj qeverie këtë vit, sidomos në sektorin e turizmit një nga sektorët më jetikë të ekonomisë, nga i cili mbahen me mijëra familje, nga veriu në jug.

Banorët e Thethit janë në tokat e tyre, prandaj edhe emri i këtij operacioni, "Tokë e Xanun", është një absurditet. Tokën e kujt kanë zënë ata? Janë në pronat që ua kanë lënë të parët dhe që i kanë mbrojtur me gjak. Por kjo qeveri nuk ua njeh. Sepse, që të marrin tokën e baballarëve të tyre, duhet të paguajnë në hipotekë ose të japin rryshfet tek Benet Beci. Ata nuk kanë pushtuar asgjë janë në pronat e tyre dhe duan të ndërtojnë biznesin e tyre, por Rama nuk i lejon.