Zequa 1, Zequa 2 dhe Shqipëria si e ëma e Zeqos në majë të thanës

Nga Klodian Tomorri/

Zhvillimi më i bujshëm politik që ka prodhuar Shqipëria pas zgjedhjeve të 11 majit janë dy Zeqot.

Zequa i parë është një deputete në Fier, që i bën vetes video duke thënë gjëra shumë të mençura. Kjo u bë një herë deputete, pastaj doli që kishte vjedhur ca vota dhe e humbi mandatin.
Por sapo i ra mandati, njëra që ishte para Zeqos i liroi vendin, me propozim nga lart dhe orientim nga poshtë. Pra, Zeqos së parë i hapën rrugë për në Kuvend. Mbajeni mend këtë.

Zequa i dytë është një punëtor ndërtimi, që mund të bëhet deputet. Ky ishte i 12-ti në listën e mbyllur Lapaj–Shabani.
Fillimisht këta u thanë se do të tërhiqeshin të gjithë, pasi në Parlament do të hynin ata që merrnin më shumë vota individuale. Mirëpo Zequa nuk po dëgjon tani dhe thotë se ka harruar nëse ka firmosur për dorëheqje. Pra, Zequa i dytë nuk po hap rrugë për në Kuvend.

Po jetojmë në vendin e Zeqove. Një Zeqo, që i hapin rrugën dhe një Zeqo që nuk hap rrugë për në Parlamentin e Zeqove. Dhe Shqipëria e gjorë ka përfunduar si e ëma e Zeqos në majë të thanës.

Ky ishte zhvillimi më i rëndësishëm politik. Ndërsa zhvillimi më i rëndësishëm në jetën publike janë prishjet e ndërtimeve në Theth.

Këtu tani nuk kishim Zeqo, por Koçeke.
Ca Koçeke thoshin që qeveria po na mbyt dhe po na nxjerr në rrugë të madhe, ndërsa ca Koçeke të tjerë thoshin: "Edi Rama ka ba nji gjâ t’mrekullueshme që prishi ndërtimet."

Po bëhet vendi një spital i madh psikiatrik.

Kështu që Zeqo dhe Koçeke të të gjitha llojeve, bashkohuni që të shpëtojmë Atdheun.