BE-ja arrin marrëveshje me Izraelin për të rritur ndihmën për Gazën

Bashkimi Evropian dhe Izraeli kanë arritur një marrëveshje për të zgjeruar ndihmën humanitare që hyn në Gaza, njoftoi të enjten diplomatja më e lartë e BE-së, Kaja Kallas.

“Kjo marrëveshje do të thotë hapje e më shumë kalimeve kufitare, hyrje e kamionëve me ndihma dhe ushqime në Gaza, riparim i infrastrukturës jetësore dhe mbrojtje e punonjësve të ndihmës. Ne mbështetemi te Izraeli për të zbatuar çdo masë të rënë dakord”, tha Kallas .

Masat do të zbatohen në ditët në vijim, duke u siguruar që ndihma t'i dorëzohet drejtpërdrejt popullsisë lokale dhe që asnjë ndihmë të mos devijohet drejt grupit militant Hamas, tha zëdhënësi i Komisionit, Anouar El Anouni, në një konferencë për mediat.

Masat për të cilat Izraeli dhe BE-ja ranë dakord përfshijnë një rritje të numrit të përditshëm të kamionëve me ushqim, karburant dhe artikuj të tjerë që hyjnë në Gaza, hapjen e disa pikave të tjera të kalimit si në zonat veriore ashtu edhe në ato jugore, rihapjen e rrugëve të ndihmës jordaneze dhe egjiptiane, si dhe shpërndarjen e furnizimeve ushqimore përmes furrave të bukës dhe kuzhinave publike në të gjithë Rripin e Gazës.

Izraeli bllokoi të gjitha dërgesat e ushqimit nga agjencitë ndërkombëtare të ndihmës në Gaza për 11 javë - duke argumentuar se ato po sekuestroheshin dhe shiteshin nga militantët e Hamasit - ndërsa vazhdonte sulmin e tij ushtarak në enklavën bregdetare.

Pasi zbuti bllokadën e enklavës, Fondacioni Humanitar i Gazës (GFH) - një organizatë kontroverse e ndihmës ushqimore e mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli - filloi operacionet në zonë.

GFH është kritikuar pas raportimeve për civilë palestinezë të qëlluar ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë, me  170 OJQ që kohët e fundit kanë kërkuar mbylljen e saj./ Politico.