SYRI TV/ Zbardhet dosja e nënkomisarit të fajdeve, për 7000 euro kërkonte 70'000 euro
Syri Televizion zbardh dosjen hetimore të efektivit të policisë së Elbasanit Edison Pema i cili jepte para me fajde, bllokonte automjetet e borxhlinjve dhe përdorte ambientet e punës, madje në prezencë të drejtuesve të policisë që të kërcënonte qytetarët.
Edison Pema dhjetëfishoi vlerën e borxhit përmes kërcënimit ndaj një qytetari që merrej me aktivitetin e dhënies së makinave me qira, ku nga 7000 euro, ia çoi detyrimin në mbi 70 mijë euro si dhe disa makina të bllokuara.
Shtetasi B.S zbardhet në përgjime duke folur me nënkomisarin ku bisedojnë edhe për transportin e 17 kg kanabis sativa nga Kosova ndërsa në dosjen e prokurorisë përmendet edhe një zyrtar policie që ishte pjesë e bisedave për aktivitet kriminal.
“Vlerën e lartpërmendur kallëzuesi ka shpjeguar se ja ka paguar pas disa ditësh në ambientet e DVP Elbasan, ku ka hyrë me automjetin e markës ‘Mercedes-Benz’ në zyrën e Edison Pemës prezent kanë qenë dhe dy kolegë të tij. Pasi ka marrë pagesën, Edison Pema i ka kërkuar që të linte peng automjetin dhe një automjet të markës ‘Volkswagen’ tip Golf 8, të cilët së bashku me automjetin tjetër ‘Volkswagen’ tip Golf 8 do të mundësonin mos pagimin e interesave/kamatave. Në vijimësi kallëzuesi ka shpjeguar se Edison Pema i ka shpjeguar se interesat/kamatat nuk ndaleshin dhe duhej ti paguante të gjithë shumën prej rreth 72000 (shtatëdhjetedymijë) euro njëherësh. Kallëzuesi ka shpjeguar se i ka lënë peng Edison Pemës dhe dy automjete të tjera konkretisht Volkswagen Tuareg dhe Volkswagen Passat të cilin e ka marrë një punonjës policie i identifikuar me emrin M. Ndër të tjera kallëzuesi ka shpjeguar se Edisoni i ka kërkuar që pas çdo 10 (dhjetë) ditësh ti kryente pagesën e interesit prej 2000 (dymijë) eurosh. Në vijimësi, shtetasi B.S ka shpjeguar se vlerat monetare në disa raste ia ka paguar Edison Pemës në ambientet e DVP Elbasan. Ndër të tjera ka shpjeguar se në dijeni të fakteve të lartpërmendura ka qenë dhe Zv.Drejtori i DVP Elbasan, një shtetas i quajtur Sadik, të cilin e ka konstatuar të drejtonte automjetin e markës ‘Mercedes-Benz’, dhe se në një rast ky i fundit i kishte thënë se derisa ti paguante vlerën monetare shtetasit Edison Pema makina nuk do ti kthehej”
Rezulton nga një kërkim i thjesht se në funksionin e zv drejtorit të policisë në Elbasan për kohën kur rrëfehet pretendimi, ka qenë Sadik Kateshi, i emëruar nga Ilir Proda në shkurt të këtij viti, por organi hetues i Elbasanit nuk e specifikon nëse pretendimi i kallëzuesit bën fjalë për këtë zyrtar policie. Në rrëfimin e tij shtetasi nga Kosova thotë se pasi e ka refuzuar kërkesën e nënkomisarit për ti shlyer mbi 70 mijë euro është kërcënuar prej tij
“Mos e merr veten në qafë duke shkuar në varr sepse ha plumbin në kokë” dhe “... e di se kush jam unë, kam paguar lekët për ty, kam shkuar tek njerëz të ndryshëm për të marrë paratë, të cilët janë me rrezikshmëri të lartë dhe po nuk solle lekët unë të vras, të fus plumbin”.
Shtetasi nga Kosova nuk përballoi dot shlyerjen e borxheve dhe iu drejtua Policisë, ku nënshkroi marrëveshje ku do përgjonte bisedën mes tij e fajdexhiut. Të dhënat e përftuara nga këto përgjime fundosën efektivin i cili tashmë akuzohet për veprën penale ‘Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie’.