SYRI TV/ Prokuroria kërkon ‘burg përjetë’ për Azgan Mërnicën, vrau efektivin e policisë Nuvruz Cenalia

Prokuroria e Fierit ka kërkuar burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën, i cili akuzohet se vrau efektivin e policisë, Nevruz Cenalia.

Ngjarja, që tronditi vendin mesditën e 14 majit 2024, është zbardhur totalisht nga organi i akuzës së Fierit. Prokuroria thotë se konflikti midis Mërnicës dhe efektivit të forcave speciale ka nisur për shkak të një parakalimi me shpejtësi që Mërnica bëri, ndërkohë që Cenalia i tërhoqi vëmendjen.

Prokuroria e Fierit kërkon burgim të përjetshëm për Azgan Mërnicën, 24-vjeçarin që vrau me armë zjarri efektivin e policisë Nevruz Cenalia. Organi i akuzës ka ngritur akuzat: “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Sipas prokurorisë, Nevruz Cenalia ishte lehtësisht i dallueshëm pasi ishte i veshur me uniformën e forcave speciale “Shqiponja”. Ngjarja ndodhi më 14 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz. Konflikti midis tyre nisi pasi Azgan Mërnica, duke drejtuar makinën me shpejtësi, hyri në një kthesë duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës. Nevruz Cenalia i tërhoqi vëmendjen, por Mërnica ndaloi automjetin dhe iu afrua efektivit të policisë. Ai nxori një pistoletë që e mbante në një çantë të vogël dhe qëlloi në fytyrë Cenalinë, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Përreth 48 orë, policia e Fierit me përforcime nga Tirana nuk arriti ta arrestonte Mërnicën, megjithëse kishte vendosur një shpërblim prej 30 mijë eurosh për kapjen e tij. 24-vjeçari u dorëzua pas negociatave të familjarëve me policinë, madje edhe duke u filmuar. Ai kishte qëndruar i fshehur në një kanal pas një banese. Personi që negocioi me policinë e mori dhe e dërgoi në shtëpi, ku u takua me familjarët, më pas e dorëzoi efektivëve të RENEA-s, të cilët ishin në hyrje të fshatit Sulaj.