21-vjeçari falsifikonte karta ID dhe merrte kredi deri në 3400 euro/ Zbardhen 9 raste, arrestohet i riu
Pas disa javësh hetime intensive, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi operacionin e koduar “Identiteti”, duke vënë në pranga një 21-vjeçar që mashtronte institucionet financiare përmes dokumenteve të falsifikuara.
I arrestuari është S. M., 21 vjeç, banues në Tiranë, i cili sipas hetimeve ka falsifikuar karta identiteti, duke përdorur foton e tij me të dhëna personale të shtetasve të tjerë, për të aplikuar e përfituar kredi bankare në shuma nga 1000 deri në 3400 euro. Deri tani janë dokumentuar 9 raste të mashtrimit financiar, përmes kësaj skeme të sofistikuar.
Gjatë operacionit janë sekuestruar si prova materiale:
-1 automjet në pronësi të të arrestuarit,
-Karta identiteti të dyshuara të falsifikuara,
-2 celularë,
-20 karta SIM të përdorura në aplikime të ndryshme.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur nëse i riu ka bashkëpunuar me persona të tjerë dhe nëse ka përfituar kredi të tjera me identitete të falsifikuara. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore.