SYRI TV/ Shqipëria e moshuar me 60 vjeçarë, bie numri i të rinjve, rriten pensionistët

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht si një Shqipëri e moshuar.

Sipas INSTAT, për vitin 2024 ka një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve mbi moshën 60 vjeç, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullsisë është në rënie. Shkak për këtë është emigrimi dhe ulja e lindshmërisë, duke sjellë rënie të popullsisë së re.

Çdo vit bie numri i popullsisë në moshë të re dhe rritet numri i pensionistëve. Të dhënat më të fundit nga INSTAT për vitin 2024 tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të qytetarëve mbi moshën 60 vjeç, ndërkohë që numri i përgjithshëm i popullsisë është në rënie. Grupmosha mbi 60 vjeç ka arritur në 691,788 persona, ose 30% e popullsisë totale prej 2.36 milionësh në vitin 2024. Ndërkohë që në vitin 2011, popullsia mbi 60 vjeç ishte sa 15% e totalit të popullsisë.

Në grupmoshën 65–69 vjeç, janë shtuar mbi 5,800 persona në vitin 2024 në krahasim me 2023. Në grupmoshën 75–79 vjeç, ka rritje prej më shumë se 7,300 personash. Grupmosha mbi 85 vjeç është rritur nga 36,840 në vitin 2023 në 39,996 në 2024, një tregues i rritjes së jetëgjatësisë.

Në të kundërt, popullsia e përgjithshme u tkurr me mbi 27 mijë banorë në vetëm një vit, nga 2,390,942 në 2,363,314 – një rënie prej 1.2%. Ndërsa grupmosha 0–29 vjeç u tkurr tre herë më shumë, me 30 mijë persona ose mbi 4%.

Me një numër më të madh pensionistësh dhe një numër potencialisht më të ulët kontribuesish (për shkak të emigrimit dhe rënies së lindshmërisë), qëndrueshmëria financiare e skemave të pensioneve është në pikëpyetje, ndërsa sistemi shëndetësor do të përballet me ngarkesë të shtuar.

Shqipëria është tashmë në fazën e tranzicionit demografik drejt një shoqërie me përqindje të lartë të të moshuarve. Politikat publike duhet të përshtaten me këtë realitet të ri, duke garantuar mbrojtje sociale për të moshuarit dhe një sistem ekonomik që e përballon këtë tranzicion.