SYRI TV/ Koncerti 'Virtuozët' në qytetin e Elbasanit, risillen tingujt e mjeshtërve botërorë
Koncerti “Virtuozët” solli në Elbasan tingujt e mjeshtërve botërorë, interpretuar nga instrumentistë të qytetit.
Aktiviteti u prit me interes nga qytetarët dhe turistët, ndërsa qëllimi kryesor i eventit ishte ndërthurja mes artit dhe trashëgimisë kulturore, si dhe promovimi i vlerave.
Në Elbasan u zhvillua koncerti “Virtuozët” me një program që përfshinte vepra të zgjedhura nga kompozitorë të mëdhenj, të sjella përmes instrumentistëve të talentuar të qytetit. Koncertet e dy netëve u mbajtën në Muzeun Etnografik të Elbasanit dhe në Galerinë e Artit në Kullën e Kalasë. Ky koncert kishte si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit. Për violinistin e njohur Zeqir Sulkuqi, aktivitetet artistike në Elbasan duhet të kenë një efekt të dobishëm, jo vetëm në artin e qytetit, por edhe te shijuesit e muzikës.
Aktiviteti artistik “Virtuozët” u ndoq me interes edhe nga turistë të huaj, të cilët u shprehën kuriozë për aktivitete të tilla.
Përkthimi i deklaratës së një turisteje:
"Ky është një vend shumë i bukur. Kam ardhur me gjyshin që jeton këtu. Është një mundësi e mirë të dëgjoj një nga violinistët më të mirë në Shqipëri. Është hera ime e dytë që jam këtu, por hera e parë që dëgjoj muzikë në këtë vend, kështu që do të jetë një eksperiencë ndryshe, dhe jam shumë e lumtur. Ky vend ka një akustikë shumë të mirë, ndaj dëgjimi i muzikës këtu do t’i japë asaj dimensione ëndërrimtare dhe do të jetë një eksperiment interesant."
“Virtuozët” gjallëruan identitetin kulturor të qytetit, duke e kthyer artin në një urë mes trashëgimisë dhe publikut të sotëm.