SYRI TV/ Shoferët kuksianë protestë në Rrugën e Kombit, kundërshtojnë rritjen e tarifës në 5€
Pas zgjedhjeve, qeveria Rama rrit çmimin për kalimin në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit, nga 100 lekë në 5 euro, duke rënduar xhepat e tyre.
Drejtuesit e automjeteve të transportit publik që bëjnë linjën Kukës–Tiranë protestuan pranë pikës së pagesës, duke theksuar se ky është një ndëshkim ndaj qytetarëve kuksianë, pasi pagesa prej 5 eurosh çdo ditë për rrugën është e papërballueshme. Ata kërkojnë rikthimin e pagesës së reduktuar; në të kundërt, paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri në bllokim të rrugës.
Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria Rama rriti tarifën e traut në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit, duke mos mbajtur premtimin e dhënë se ata do të përfitonin tarifë të reduktuar. Rreth 20 drejtues automjetesh të transportit publik që operojnë në linjën Kukës–Tiranë dhe anasjelltas protestuan këtë të enjte pranë pikës së pagesës, duke kundërshtuar vendimin e kompanisë koncesionare "Salillari" për rritjen e tarifës së kalimit.
Sipas drejtuesve të automjeteve kuksianë, që prej datës 12 maj, tarifa është rritur në 5 euro, nga 100 lekë të vjetra që kishin paguar për më shumë se 8 vite. Ata e cilësojnë si të padrejtë dhe të papërballueshme këtë rritje të çmimit.
Protestuesit shprehen se u janë drejtuar institucioneve lokale dhe përfaqësuesve qeveritarë për një zgjidhje, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare apo propozim konkret.
Drejtuesit e furgonëve paralajmërojnë për përshkallëzim të mëtejshëm të protestës, deri në bllokimin e rrugës, nëse nuk merren masa të menjëhershme.
Edhe pse në fillim vetë qeveria kishte urdhëruar që banorët e Kukësit të përfitonin tarifë të reduktuar si përdorues të përhershëm të Rrugës së Kombit, ky premtim duket se po zbehet përballë vendimeve të reja që rëndojnë xhepat e tyre.